Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste shprehu sot bindjen se me Vangjel Tavon, Himara do të hapë një kapitull të ri zhvillimi, bashkëpunimi dhe bashkëjetese demokratike mes himariotëve.

Në një takim bashkë me kandidatin e PS-së për kryebashkiak me banorë të Himarës, Rama u shpreh se “Vangjelët e gabuar do të mund të bëjnë plazh e banjo dielli, po s’do të kenë më shans të ndezin zjarre e nxijnë vetullat”.

“Është histori e njohur kjo me të ‘den baba den’, që kur ishte me Partinë e madhe Socialiste. Ky nuk bën fushata, ky bën komunikim me njeriun derë më derë e prag më prag. Pas Gramoz Ruçit ky është i dyti që ka numëratorin më të gjatë të telefonit dhe është absolutisht si Gramozi që po i çove mesazh direkt të merr në telefon”, u shpreh Rama, duke folur për Tavon.

Duke u ndalur te historitë e himarjotëve dhe marrëdhëniet e tyre me Tiranën dhe Athinën, Rama tha se në fund konkluzioni është po ai: janë himarjotë dhe pikë.

“Himara i lidh bashkë, prandaj gjithë kjo që ka ndodhur është një mundësi e madhe në aspektin për ta parë perspektivën duke kuptuar edhe arsyet pse kanë ndodhur dhe për ta vënë Himarën kryefjalë dhe emrin himarjot kryefjalë. Pastaj flas kështu apo ashtu, më pëlqen më shumë veriu apo jugu, këto janë personale”, shtoi ai./ata