Kryeministri Edi Rama bëri të ditur se trashëgimtarët e Kolekajve të cilët kanë pasur prona në Himarë, ende nuk kanë sot certifikata pronësie nga Kadastra.

Në një takim me banorë të Himarës, bashkë me kandidatin e PS-së për kryetar bashkie, Vangjel Tavo, Rama reagoi sërish mbi akuzat e ngritura për çështjen e pronave në Vuno.

“Kishte dale një kazan atje në Greqi, një që ka një kazan këtu dhe thoshte Edi Rama ka grabitur pronat. Në fakt është një histori e bukur shumë dhe kaq domethënëse për të gjithë situatën që e rrëzon komplet mitin që qeveria po iu merr pronat. Ju e dini shumë mirë që pjesa e Kolekajve është nga këtu dhe kanë pasur edhe ata pjesën e kullotave të tyre me dokumenta. Unë jua kam thënë kohë më parë se unë nuk marr pjesë në këto, nuk më interesojnë se unë jam informuar që i vogël që kur shkon në botën tjetër hipoteka, paratë në xhep, kartat e kreditit nuk funksionojnë. Puna është çfarë lë mbrapa, pastaj të tjerat kush do t’i bëjë vetë”, tha Rama.

“Për pronat e familjes time nuk jam interesuar. Një pronë kam trashëguar unë, studion e tim eti dhe për të bërë një gjë të vogël kismet më vonë për nder të tij dhe kaq”, shtoi Rama.

Sipas tij, “gjithë këta trashëgimtarë kanë bërë luftën e tyre për të marrë pronat”.

“Nga fillimi i vitit 2000 kanë marrë ato AMTP, siç i kanë marrë të tjerët e pastaj kanë filluar gjyqe e historira”, shtoi ai.

Rama nënvizoi se kur ka ardhur ai në qeveri, ata kanë pasur refuzime të vazhdueshme nga Agjencia e Trajtimit të Pronave.

“Sot që flasim nuk kanë akoma asnjë copë certifikatë pronësie nga Kadastra, sot që flasim. Pra, regjimi im nuk ua ka dhënë pronat”, theksoi Rama.

Sipas tij, “kjo është një histori himariotësh si për ata si për të tjerë”.

“Unë asnjëherë nuk kam ndërhyrë pikërisht sepse nuk është e drejtë. Si gjithë të tjerët. Natyrisht ka pasur të tjerë më të shkathët që nuk kanë qenë fare himariotë, nuk kanë pasur lidhje fare me Himarën por kanë shfrytëzuar pushtetin e mëparshëm”, shtoi ai./ata