Kosova i ka dërguar notë proteste Maqedonisë së Veriut për shkak të "trajtimit jo të drejtë" të presidentes Vjosa Osmani në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit më 1 gusht.
Në një reagim publik të Zyrës së Presidentes, thuhet se Presidenca e Kosovës është e indinjuar me deklarimet nga Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut, lidhur me situatën që ndodhi më 1 gusht në Aeroportin e Shkupit ku u përfshi presidentja Osmani, derisa Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës tha se i ka paraqitur një notë proteste autoriteteve maqedonase, duke kërkuar sqarim të plotë të ngjarjes.
Presidenca kosovare kërkoi nga autoritetet në Shkup që “në vend të arsyetimeve dhe lejimit të propagandës kundër Kosovës”, me urgjencë të trajtojnë këtë rast dhe të merren masa “ndaj zyrtarëve që kanë bërë këtë sulm ndaj Republikës së Kosovës”.
“Situata e djeshme në Aeroportin e Shkupit nuk mund të shpjegohet e as të vlerësohet ndryshe, përveçse si një provokim i pastër dhe tendencë për të shkaktuar incident”, u tha në reagimin e Presidencës kosovare.
Tutje, Presidenca kosovare tha se “në vend të kërkimfaljes, dje dhe sot Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) e Maqedonisë së Veriut ka arsyetuar në tërësi kërkesën e sigurimit të aeroportit për ta marrë dhe për ta vendosur në skaner telefonin personal të Presidentes së Republikës së Kosovës, i cili përdoret nga kreu i shtetit edhe për komunikime zyrtare për çështje të sigurisë nacionale”.
Sipas Presidencës, një kontroll të tillë “bie ndesh në tërësi me rregullat e trajtimit të krerëve të shtetit sipas praktikave diplomatike”, andaj presidentja Osmani ka refuzuar që ta vendosë telefonin personal në skaner.
Më 1 gusht, Presidenca kosovare njoftoi se Osmanit ishte tentuar t’i merrej telefoni personal nga një pjesëtar i sigurimit të Aeroportit të Shkupit, në "kundërshtim të praktikave ndërkombëtare dhe Konventës së Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike”.
Përpos kësaj, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës njoftoi se përveç notës së protestës, kryediplomatja kosovare, Donika Gërvalla, mbrëmjen e 1 gushtit e ka thirrur në bisedë sqaruese ambasadorin e Maqedonisë së Veriut në Kosovë dhe po ashtu është takuar me zv/kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Arben Fetai, me të cilin ka biseduar për këtë ngjarje dhe pasditen e së premtes ka pranuar një “telefonatë nga homologu i saj, Ministri i Punëve të Jashtme, Timço Mucunski, gjatë së cilës u shprehën shqetësimet e institucioneve të Kosovës pas incidentit të djeshëm”.
Maqedonia e Veriut shpreh keqardhje për keqkuptimet e ndodhura
Ministria e Punëve dhe Tregtisë së Jashtme e Maqedonisë përmes një kumtese është shprehur se dy vendet ruajnë marrëdhënie dhe bashkëpunim dypalësh pozitiv dhe konstruktiv, pa çështje të hapura dhe me dialog të ndershëm dhe të vazhdueshëm në të gjitha nivelet dhe në të gjitha fushat.
“Në këtë kontekst, shprehim keqardhjen tonë për keqkuptimet e ndodhura gjatë udhëtimit të djeshëm të Presidentes së Republikës së Kosovës, Shkëlqesisë së Saj, Vjosa Osmani, në Aeroportin Ndërkombëtar në Shkup”, thuhet në kumtesë.
Gjithashtu theksohet se Ministria e Punëve dhe Tregtisë së Jashtme e Maqedonisë së Veriut tashmë ka kërkuar informacion nga të gjitha institucionet kompetente lidhur me ngjarjen e djeshme. Pas një analize adekuate të të dhënave të mbledhura në bashkëpunim të drejtpërdrejtë me Ministrinë e Punëve të Brendshme, do të ndërmerren të gjitha aktivitetet dhe masat e nevojshme, me qëllim kryesor shmangien e dukurive dhe situatave të tilla apo të ngjashme në të ardhmen./aa