Vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Bosnjë e Hercegovina, Serbia, Mali i Zi tërheqin vëmendjen si destinacione në të cilat kompanitë e huaja mund të zbatojnë trendet e reja të investimeve me përdorimin korrekt të potencialit të tyre.

Koncepti i "near-shoring" (furnizimi nga vendet e afërta), të cilin vendet kanë filluar ta preferojnë më shumë me pandeminë e COVID-19 dhe që nënkupton kur një kompani e vendos prodhimin e saj në vende të afërta, konsiderohet një zonë e rëndësishme investimi për Ballkanin Perëndimor.

Nga ana tjetër, dekarbonizimi, i cili synon të reduktojë emetimet e karbonit ose gazrave serrë, e bën rajonin tërheqës për investimet e huaja.

Branimir Jovanoviq nga Instituti i Vjenës për Kërkime Ekonomike Ndërkombëtare, udhëheqës i grupit hulumtues që hodhi dritë mbi temën me hulumtimin e titulluar "Transformimi i Ballkanit Perëndimor me Investime 'Near-shoring' dhe Dekarbonizuese", në deklaratën për Anadolu vlerësoi rëndësinë e rajonit në këtë drejtim.

Ai tha se me pandeminë e COVID-19 dhe luftën në Ukrainë, vendet evropiane kanë qenë në kërkim të alternativave të ndryshme për të pozicionuar investimet e tyre. "Ballkani Perëndimor doli në pah si opsioni i parë natyror. Afërsia e rajonit, kostot relativisht të ulëta dhe fuqia punëtore e kualifikuar janë ndër karakteristikat më të rëndësishme të rajonit", tha Jovanoviq.

Duke theksuar se rajoni ofron avantazhe në aspektin e reduktimit të emetimeve të karbonit si për energjinë e rinovueshme, ashtu edhe për ndërtimin e fabrikave me shkallë më të ulët emetimi, Jovanoviq potencoi se Ballkani Perëndimor në këtë fushë mund t'i kontribuojë "Marrëveshjes së Gjelbër" të Bashkimit Evropian (BE).

 

- "Near-shoring tashmë zbatohet në rajon"

Jovanoviq më tej duke folur për hulumtimin që kanë bërë tha se "Gjetjet tona tregojnë se 'near-shoring' tashmë po zbatohet në Ballkan, pasi kemi parë se disa kompani që investojnë në këtë fushë janë në fazën përgatitore. Vetëm Mali i Zi, për arsye se është më shumë i fokusuar në turizëm sesa në prodhim nuk bën pjesë në këtë fushë".

Ai shtoi potencoi se në rajon përveç Kosovës ka investime të huaja në fushën e energjisë së ripërtëritshme, ndërsa shtoi se anketat e bëra në kuadër të hulumtimit të lartëpërmendur kanë treguar se kompanitë janë të gatshme të bashkëpunojnë më shumë me kompanitë vendore nëse reduktohen emetimet e dioksid karbonit në rajon.

Sipas tij, rajoni mund të rrisë standardet e jetesës duke përdorur tendencat e "furnizimit nga vendet e afërta" dhe "reduktimit të emetimeve të karbonit", gjë që do të mundësojë që zhvillimi ekonomik në rajon të arrijë në nivelet e larta.

Ai tregoi se në rajon gjenden 800 mijë persona të papunë dhe me "near-shoring" kjo shifër mund të ulet ndjeshëm.

 

- "Ballkani Perëndimor është një destinacion ideal"

Një autore tjetër e hulumtimit është Muela Ibrahimi, Drejtoreshë e Departamentit për Analiza Ekonomike dhe Komunikim Strategjik të Odës Ekonomike të Kosovës. Ajo thotë se ekonomia e Kosovës ka përjetuar një rritje të qëndrueshme që nga pandemia COVID-19 në aspektin e investimeve të huaja dhe "near-shoring".

Ibrahimi theksoi se Ballkani Perëndimor ofron qasje të shpejtë dhe të sigurt në tregjet kryesore evropiane, e cila është veçanërisht tërheqëse për kompanitë që kërkojnë të zvogëlojnë zinxhirët e furnizimit dhe të përmirësojnë efikasitetin operativ.

Një tjetër faktor kyç në aspektin e Kosovës, sipas saj, është fuqia punëtore e kualifikuar dhe dinamike, e cila me një popullsi të re, të arsimuar mirë dhe të trajnuar në fusha të rëndësishme si teknologjia e informacionit dhe inxhinieria, gjë që e ka bërë Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor një vend tërheqës për investime në sektorët që kërkojnë aftësi të avancuara teknologjike dhe teknike.

Ibrahimi potencoi se kostot relativisht të ulëta të prodhimit në krahasim me vendet e BE-së u ofrojnë investitorëve një avantazh të madh konkurrues, duke u mundësuar të mbajnë standarde të larta të prodhimit dhe shërbimeve.

Me ligjet e miratuara për mbrojtjen e mjedisit dhe ndryshimet klimatike, sipas saj, Kosova është në rrugën drejt përmbushjes së kërkesave për reduktimin e ndotjes së ajrit dhe përdorimin më të përgjegjshëm të burimeve natyrore. "Këto politika janë të rëndësishme jo vetëm për përmirësimin e cilësisë së jetës brenda vendit, por gjithashtu për të ndihmuar Kosovën që të integrohet në tregun evropian dhe global duke u bërë pjesë e zinxhirëve të furnizimit të gjelbër dhe të qëndrueshëm", tha Ibrahimi.

Duke theksuar se Kosova ka potencial të madh për zhvillimin e sektorit të energjisë së ripërtëritshme, Ibrahimi tregoi se kështu vendi mund të reduktojë varësinë nga burimet tradicionale dhe përmbushur standardet ndërkombëtare për uljen e emetimeve të karbonit.

Në hulumtimin që kanë bërë kanë konstatuar se dekarbonizimi është një faktor kyç në vendimmarrjen për investime nga investitorët e huaj, tha Ibrahimi duke shtuar: "Roli i Kosovës në përpjekjet e dekarbonizimit është thelbësor për rritjen e bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtar, duke ndihmuar të bëhet më konkurrues dhe tërheqës për investime të huaja që kërkojnë standarde të larta mjedisore. Kjo është konfirmuar edhe nga studimi".

Ibrahimi tërhoqi vëmendjen se Kosova ka një mundësi të rëndësishme për të tërhequr këto investime duke u dekarbonizuar dhe rritur angazhimin e saj në tranzicionin drejt një ekonomie të gjelbër. ​

 

- "Rajoni destinacioni kryesor i kompanive të largëta"

Eksperti i ekonomisë nga Maqedonia e Veriut, Visar Ademi në deklaratën për Anadolu theksoi se Ballkani Perëndimor është territor në pjesën e Evropës dhe të gjitha kompanitë që janë nga Amerika, nga Kina dhe nga vendet e largëta, destinacioni kryesor i tyre është Ballkani Perëndimor.

"E para, qeveritë e këtyre shteteve japin shumë subvencione për investitorët e huaj. E dyta, Akoma fuqia punëtore është e lirë, relativisht e lirë në krahasim me vendet e Evropës Perëndimore, por edhe atyre jug-lindore", tha ai.

Ademi theksoi se investitorët e huaj i kushtojnë rëndësi stabilitetit politik dhe sundimit të ligjit, ndërsa në mungesë të tyre atëherë rrezikohet prona e kompanisë, rrezikohen produktet e kompanisë, të drejtat autoriale, e drejta e inovacioneve. Sipas tij, në qoftë se plotësohen këto dy parakushte, atëherë mund të flasim për produktivitet të fuqisë punëtore.

Ai më tej deklaron se qeveria e re në Maqedoninë e Veriut premton që do të ketë shumë investime në energjinë e ripërtishme, energjinë e gjelbër, por se akoma është për t’u parë se çfarë efekti do kenë.

Duke tërhequr vëmendjen në varshmërinë e rajonit në energjinë elektrike si në ekonomi, ashtu edhe konsum, Ademi tërhoqi vëmendjen se kjo reflektohet në inflacion dhe në fuqinë blerëse.

 

- "Procesi i dekarbonizimit është i rëndësishëm"

Duke theksuar rëndësinë e procesit të dekarbonizimit për rajonin, Ademi tha se kriteret në kuadër të anëtarësimit në BE nuk janë vetëm politike, por janë edhe ekonomike, duke shtuar se dekarbonizimi i shoqërisë është i rëndësishëm jo vetëm në kuptimin e prodhimit industrial, por edhe të konsumit individual.

Sipas tij në 6-vjeçarin e ardhshëm nevojiten hapa konkretë në procesin e uljes së emetimit të karbonit, ndërsa për efektin që anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut apo edhe i ndonjë vendi tjetër të rajonit në BE mund të ketë mbi ekonominë dhe përpjekjet për dekarbonizim tha kështu:

"Do të rritet në masë të madhe tregtia me BE-në, do të rritet konkurrentshmëria e kompanive lokale, do të rritet eksporti, sepse ne jemi shtet i cili varet shumë nga partnerët e vet strategjik të cilët i ka Brenda BE-së. Gjermania, partneri jonë tregtar numër 1, pastaj me radhë vijnë Greqia, Bullgaria, të gjitha anëtarë të BE-së. Ne, destinacionin kryesor e kemi BE-në sepse atje shesim, atje blejmë, dhe atje marrim 'know-how nëpërmjet projekteve të huaja".

Ndërkohë, sipas të dhënave që Banka Botërore ka publikuar lidhur me vitin 2023, Serbia renditet e para në rajon për sa i përket hyrjeve neto të investimeve të huaja direkte, me rreth 4.8 miliardë dollarë.

Shqipëria, nga ana tjetër, me 1.6 miliard dollarë u rendit e dyta, Bosnjë e Hercegovina me rreth 944 milionë dollarë e treta, Kosova me 913 milionë dollarë e katërta.

Maqedonia e Veriut në këtë renditje u bë e pesta me rreth 702 milionë dollarë, kurse Mali i Zi me rreth 525 milionë dollarë e gjashta./aa