Në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë është mbajtur gala mbrëmje muzikore me tre tenorë të njohur ndërkombëtarisht, Ramë Lahaj nga Kosova, Charles Castronovo nga SHBA dhe Murat Karahan nga Türkiye.

Tre emra të njohur të skenave prestigjioze u bënë bashkë për të ofruar një natë emocionale nën moton “T’knoft zemra”.

Në skenën e ngritur në zemër të kryeqytetit, tenori kosovar Rame Lahaj u shoqërua nga Charles Castronovo, i njohur ndërkombëtarisht si një nga tenorët më të mirë të brezit të tij, si dhe Murat Karahan, një yll i operas me mbi 50 role kryesore në të gjithë botën, i vlerësuar si “artisti më i suksesshëm operistik i vitit”.

Tre tenorët u shoqëruan në skenë nga Orkestra e Operas së Kosovës, e udhëhequr nga Maestro Sascha Goetzel, dirigjenti i njohur për bashkëpunimet me orkestra prestigjioze në mbarë botën.

Meriton Ferizi, ushtrues i detyrës së drejtorit të Operas së Kosovës, theksoi se për institucionin që udhëheqë ai është një përgjegjësi të shoqërojë artistë të njohur, teksa ritheksoi nevojën për një sallë dinjitoze të operas, për të përçuar një imazh të denjë jashtë vendit.

Tenori Charles Castronovo vuri në dukje energjinë pozitive që ka gjetur në Prishtinë, ndërsa tenori Murat Karahan theksoi se në Prishtinë e ka ndjesinë e shtëpisë dhe se arti ka fuqinë të hapë shumë dyer.

Festivali i 4-të Ndërkombëtar i Operas "Rame Lahaj" i cili zgjati dhjetë ditë dhe prezantoi para publikut kosovar interpretues të shumtë të artit operistik vendas dhe të huaj, u mbyll sonte me koncertin "Gala mbrëmja e Rame Lahaj & Friends".

Festivali i quajtur për nder të tenorit të nderuar kosovar Rama Lahaj, mbështetet në përvojën e tij të madhe dhe pozicionin e tij artistik në komunitetin ndërkombëtar të operës./aa