Megjithëse në vendin tonë shikon gjithandej turistë dhe numri i tyre është rritur më mbi 40% krahasuar me një vit më parë, konsumi vazhdon të mbetet i ulët. Pyetja që shtrojmë është: A po i zëvendësojnë turistët “dorështrënguar” shqiptarët e ikur?
Ekspert për Ekonominë, Gjergj Erebara u shpreh: “Nëse do të kemi 10 milionë turistë që të rrinë nga 10 ditë, ose 40 milionë turistë që të rrinë nga 5 ditë, atëherë mund të thuhet që zëvendësojnë 500 mijë shqiptarët e ikur në 12 vitet e fundit.

Për sa i përket uljes së çmimeve që po bën Saranda dhe Ksamili në kulmin e sezonit, është se ajo që ka ndodhur vitet e fundit në Shqipëri është se prirjen e çmimeve nuk e ka bërë Banka Qendrore, por qeveria, duke deklaruar vazhdimisht që po na vijnë miliona turistë. Pritshmëria e qytetarëve dhe operatorëve turistikë është që këtë vit çmimet do të jenë shumë të larta.

Hotelet rriten çmimet me mendimin që do të ketë të ardhura, qytetarët menduan për plane rezervë, ose të mos bëjnë pushime , ose të bëjnë më pak pushime ose të pushojnë jashtë. Operatorët turistikë t’i përdorin mendtë për vitin e ardhshëm tani, kjo ka mbetur.

Ndërsa kemi 10 milionë kalime kufitare, nuk do të thotë që kemi 10 milionë turistë. Qeveria nga një anë thotë që ka hequr kontrollin kufitar me Kosovën, nga ana tjetër thotë që janë rritur shifrat e turistëve nga Kosova. Së dyti ka jashtëzakonisht shumë shqiptarë që vijnë me dokumente të huaja.

Është shumë e vështirë të imagjinosh që ka 600 mijë turistë greke, por ka shumë gjasa që këta 600 mijë janë shqiptarë që vijnë me pasaporta greke. Mali i Zi është një vend me 600 mijë banorë dhe pjesa dërrmuese banon në kryeqytetin Podgoricë, që është 2 orë e gjysmë larg Rinasit. Në vend që të udhëtojnë nga Podgorica ata shfrytëzojnë linjat low cost nga Tirana./TopChannel