Ministri i Financave, Petrit Malaj dhe ambasadorja e Zvicrës në Shqipëri, Ruth Huber, nënshkruan marrëveshjen për mbështetje të mëtejshme teknike në sistemin e financave vendore në vendin tonë.

Marrëveshja mbështet fazën e dytë të projektit për “Ofrimin e asistencës teknike për forcimin e menaxhimit të financave publike në nivel vendor në Shqipëri” dhe parashikon një fond prej 4.5 milionë euro në periudhën 2024-2028, në funksion të vazhdimit të zbatimit të projektit në fjalë.

Ministri Malaj e konsideroi marrëveshjen një hap përpara në avancimin e marrëdhënieve ekonomike dypalëshe me qeverinë e Konfederatës Zvicerane.

Ai shprehu bindjen se zbatimi i saj do të ndihmojë qeverinë shqiptare për të vijuar garantimin e rritjes së efikasitetit në mbledhjen e të ardhurave nga taksat dhe tarifat vendore, reformimit të buxhetit vendor, duke e bërë më eficient dhe transparent, si dhe kontrollit më të mirë të auditimit dhe raportimit financiar.

Ministri i Financave nënvizoi faktin se aktualisht bashkitë janë më të mirë strukturuara edhe sa i takon shpenzimeve, pasi pjesa më e madhe shkojnë për shërbime dhe investime publike, ndërsa qeveria ka rritur së fundmi pagat për administratën vendore, si një angazhim për një reformim akoma më të gjerë.

“Kontributi i partnerëve tanë është i rëndësishëm për ne, për më tepër sa i takon zbatimit të një reforme madhore siç është ajo e decentralizimit dhe fuqizimit të qeverisjes vendore, pasi përmes tij garantojmë përmirësimin e shërbimeve dhe jetës së qytetarëve”, u shpreh Malaj.

Faza e parë e zbatimit të projektit ka mbështetur bashkitë në disa aspekte, ndërsa faza e dytë ka si objektiva kryesorë përmirësimin e planifikimit strategjik dhe menaxhimit të përgjithshëm, fuqizimin e sistemeve të menaxhimit të të ardhurave vendore, me qëllim rritjen e tyre dhe kontributi për rritjen e të ardhurave të veta në bashki, ngritjen e sistemeve të efektshme për auditimin dhe raportimin financiar.

Këto objektiva, tha ministri, janë plotësisht në përputhje me prioritet e qeverisë për modernizimin e financave publike në nivel vendor dhe për rritjen e konsolidimin e autonomisë financiare.

Nga ana e saj ambasadorja e Zvicrës, Ruth Huber theksoi se marrëveshja e firmosur formalizon vazhdimin e punës së përbashkët për rritjen e cilësisë së financave publike.

“Synimi është përmirësimi i menaxhimit të financave publike, përdorimi e burimeve publike më me efiçencë, dhe përfundimisht, dhënia e shërbimeve më të mira për komunitetet vendore”, u shpreh Huber.

Projekti për financat vendore mbështet 61 bashkitë në rritjen e kapaciteteve për menaxhimin e financave, të cilat njihen me instrumente dhe metoda më efikase në këtë drejtim./ata