Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, duke komentuar zgjedhjet e pjesshme që po zhvillohen në Himarë sot, e cilësoi krim elektoral moslejimin e votimit të qytetarëve të cilët kanë karta identiteti (ID) të skaduara.

Në një reagim në rrjetet sociale, Meta ka evidentuar shqetësuese, sipas tij, shtimin e listës së votuesve me qindra qytetarë nga bashki të tjera, apo ndryshimin e vendeve të qendrave të votimit.

“Përjashtimi i qëllimshëm antikushtetues i 6157 qytetarëve të Bashkisë së Himarës nga e drejta e votimit, me preteksin e skadimit të dokumentave të identifikimit është një krim i shëmtuar elektoral i Edi Ramës në funksion të grabitjes së zgjedhjeve”, shkruan Meta.

Kreu i Partisë së Lirisë, Meta, në postimin e tij u bën thirrje himariotëve të votojnë.

“Duke dënuar me forcë aktet që synojnë të shkatërrojnë standardet e zgjedhjeve të lira e të ndershme në Himarë, u bëj thirrje të gjithë himariotëve të vrapojnë në këto orë të mbetura drejt qendrave të votimit për të mbrojtur Himarën dhe ndëshkuar grabitësit e tokave të tyre”, përfundon Meta.

Në zgjedhjet e pjesshme për kryebashkiak të Himarës janë dy kandidatë, Vangjel Tavo i Partisë Socialiste dhe kandidati i koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë”, Petraq Gjikuria. Qendrat e votimit janë hapur në orën 07:00 dhe do të mbyllen në orën 19:00. Numri i zgjedhësve që janë ftuar të votojnë sot në Bashkinë Himarë është 23.074./ata