Me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës, Gjykata ka vendosur sekuestron e llogarive bankare të shoqërisë italiane, pasi themeluesi i saj është nën hetim në Itali për akuzën e pastrimit të parave.

Prokuroria e Tiranës, njoftoi sot se ka sekuestruar llogaritë bankare të shoqërisë ‘N.’ shpk, themeluar nga shtetasi italian B.R. më 10.01.2022, i cili rezulton nën hetim në Itali për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”.

“Në kuadër të hetimeve të procedimit penal nr.3695 të vitit 2024, shoqëria në fjalë, e cila ushtron aktivitet në ‘ndërtim, prodhim, riparim dhe mirëmbajtje ne terren të avionëve’ rezulton me një aktivitet dhe transferta të dyshimta”, bën të ditur Prokuroria e Tiranës.

Nga hetimet e prokurorisë së Tiranës, rezulton se shtetasit e përfshirë T.G., J.L., dhe B.R, janë dënuar në vitin 2016 nga Gjykata e Shkallës së Parë në Itali për mashtrim në përfitimin e fondeve publike dhe se zotërojnë dhe drejtojnë disa biznese atje në fushën e aeronautikës.

Duke marrë në konsideratë kërkesën për transferimin e fondeve jashtë vendit dhe mungesën e informacionit lidhur me ecurine e likuidimit të detyrimeve, ndodhur edhe përpara rastit të ngutshëm, pasi ekziston rreziku që këto pasuri, të cilat dyshohen si produkt i veprimtarisë kriminale, të transferohen apo të fshihen u vlerësua e nevojshme kryerja e sekuestrimit e llogarive bankare të shoqërisë “N.” shpk, në vlerat: 1,539,490 ALL;  20,348.24 EUR; dhe 479.820,56 USD./ata