Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në komunikim me qytetarët nga banesa ku qëndron në arrest shtëpie, deklaroi sot se në zgjedhjet për kryetar të Bashkisë në Himarë iu mohua e drejta e votimit 6153 banorëve të Himarës.
Sipas Berishës, moslejimi i votimit të 6153 himariotëve, me arsyen se u ka skaduar karta identitetit është një akt kriminal.
“Sot përsëri zgjedhjet në Himarë dëshmuan intolerancën e plotë, dëshmuan krimin monstruoz elektoral, shtetëror. Sot Edi Rama iu mohoi të drejtën e votimit, e ushtrimit të të drejtës kushtetuese për votim 6153 banorëve të Himarës se me pretekstin se atyre u kishin skaduar kartat e identitetit”, tha Berisha.
“Ky dënim, ky ndëshkim i qytetarëve të Himarës, se kartat e tyre kishin skaduar ndërkohë që kishte skaduar vetëm data, por nuk kishte ndryshuar asnjë nga elementët e sigurisë që dëshmonin identitetin e qytetarit, është një akt kriminal, është një akt që fakton për të qindtën herë se me Edi Ramën, zgjedhje të lira nuk ka dhe nuk do të ketë”, përfundoi Berisha.
Në zgjedhjet e pjesshme për kryebashkiak të Himarës janë dy kandidatë, Vangjel Tavo i Partisë Socialiste dhe kandidati i koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë”, Petraq Gjikuria./ata