Kandidati i koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë”, Petraq Gjikuria, në një prononcim për mediat, në përfundim të procesit zgjedhor për kryetar të Bashkisë së Himarës, u shpreh se do të njohë verdiktin e votës së qytetarëve të Himarës.
Gjikuria në fjalën e tij falenderoi partitë politike që mbështetën kandidaturën e tij, ndërsa akuzoi mazhorancën se ka ushtruar presion përmes administratës. Për këtë, Gjikuria tha se do paraqiten në kohën e përshtatshme dhe ankesat në KQZ dhe është Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që do japë qëndrimin e tij për këtë.
“Dua të falenderoj bashkëqytetarët e mi, që më mbështetën në këtë fushatë të shkurtër dhe të sinqertë. Falenderoj ato që panë në fytyrën time një person që mund të bënte diçka për krahinën e Himarës”, u shpreh Gjikuria.
“Falenderoj të gjitha partitë politike, që më mbështeten në këtë fushatë. Dua të them se unë do të jem këtu, ku do të nisë numërimi i kutive. Himariotët folën, tani na ka mbetur të numërojmë kutitë. Asnjë s’do ti prekë këto kuti. Himariotët kanë votuar për kryetarin e bashkisë dhe unë do të jem këtu edhe nesër për himariotët për të vijuar programin tonë për ta zbatuar deri në fund”, tha Gjikuria.
“Qëllimi im është të punoj për himariotët. Duke parë që himariotët shohin një shpresë tek unë dhe më jep një gëzim. Unë do jem fitues, dhe po të dojë Tavo të vijë për të punuar për mua është i mirëpritur. Opozita pa diskutim ka punuar për mua, jam i kënaqur për mbështetjen”, nënvizoi Gjikuria./ata