Universiteti Bujqësor i Tiranës është zgjedhja e duhur për të rinjtë që duan të kenë një karrierë të qëndrueshme, pasi punësimi i studentëve pas diplomimit është në nivele deri në 70 %.
Kështu u shpreh për mediet, Prof. Asoc. Dr Fatmir Guri, përgjegjës në Departamentin e Ekonomisë dhe Politikave të Zhvillimit Rural, në Universitetin Bujqësor të Tiranës, i cili theksoi se, “sot UBT ofron 6 programe studimi të cilat janë me diploma të barasvlershme me tregun evropian”.
Guri ftoi studentët të regjistrohen në programet e UBT-së si alternativa më e mirë për integrimin e shpejtë të tyre në tregun e punës.
“Për studentët që regjistrohen në degë prioritare, Universiteti Bujqësor i Tiranës ofron një paketë të gjerë mbështetje, që nga pagesa prej 40 mijë lekësh në muaj, tek konviktet me një kuotë minimale si dhe ambiente moderne të pajisura me laboratorë sipas standardeve ndërkombëtare ISO sigurojnë një edukim cilësor dhe praktik”, u shpreh Guri.
Profesori i shkencave ekonomike bujqësore ndër të tjera shpjegoi se bujqësia është sektori kryesor i ekonomisë tonë dhe Shqipëria e ka të profilizuar tashmë kuptimin e vet në drejtim të bujqësisë dhe të turizmit.
“Bujqësia dhe turizmi janë dy sektorë që ecin paralelisht, çka do të thotë që fokusi në përmirësimin e sektorit të bujqësisë, do të jetë në axhendë të çdo qeverie, çdo organizate, çdo institucioni. Në këtë kontekst zhvillimi i burime humane merr prioritet në zhvillimin e sektorit dhe nevojën që ofron ky treg për punësimin e specialisteve”, tha ai./ata