Më shumë para po qarkullon jashtë bankave gjatë këtij viti. Rekordi është regjistruar në muajin qershor, ku sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, ishin jashtë sektorit bankar më shumë se 395 miliardë lekë, duke regjistruar rritje me më shumë se 7 miliardë lekë në raport me janarin e këtij viti. Paraja fizike dominon në ekonominë e vendit, pasi me lekë në dorë mund të blihen nga produktet ushqimore deri tek mallrat e kushtueshme si mjete apo prona.

Kjo ‘traditë’, i hap shtigje informalitetit, e bën më të vështirë luftën ndaj pastrimit të parave duke ndikuar negativisht në ekonomi, pasi qarkullimi i parasë është i pakontrolluar. Për këtë arsye shpesh është diskutuar kufizimi i përdorimit të parasë cash, por ende nuk ka një vendimmarrje. I vetmi kufizim është ai për bizneset të cilët janë të detyruar që pagesat mbi 150 mijë lekëve t’i bëjnë në rrugë bankare, kurse për individët s’ka kufizime.

Banka qendrore thotë se pavarësisht se ka rritje të pagesave elektronike, përsëri duhet bashkëpunim mes institucioneve për të ulur përdorimin e parasë fizike.

“Përdorimi i parasë fizike mbetet një fenomen mbizotërues në ekonominë shqiptare, i cili mbart kosto të larta për të. Bashkërendimi i përpjekjeve me të gjithë aktorët relevantë, si dhe rritja e edukimit financiar për nxitjen e përdorimit të instrumenteve sa më efikase dhe me kosto të ulëta përbën një nga prioritetet e Bankës së Shqipërisë”, thotë banka në raportin e saj vjetor.

PARAJA JASHTË BANKAVE

Janar 2024                 388,326 mln lekë

Qershor 2024             395,396 mln lekë

Rritja                           +7,070 mln lekë

/Shqiptarja