Pak ditë pas hapjes së garës për ndërtimin e portit të ri në Porto-Romano, Durrës, kanë nisur procedurat e para për kompensimin e pronarëve që preken nga realizimi i këtij projekti madhor.

Në fletoren zyrtare është publikuar njoftimi i Agjencisë Shtetërore për Shpronësim, drejtuar të gjithë pronarëve të pasurive të paluajtshme që preken nga realizimi i projektit “Për zbatimin e projektit të ‘Portit të ri tregtar të integruar të Durrësit në Porto-Romano”, për mundësinë e kompensimit të pasurisë në  pronësi të tyre me shpërblim në natyrë”.

Sipas njoftimit, shpërblimi në natyrë kryhet nëpërmjet shkëmbimit të pasurisë, pronë private, që shpronësohet me një pasuri tjetër të paluajtshme, në pronësi të shtetit me të njëjtën vlerë me pasurinë që shpronësohet. Gjithashtu, mund të kryhet edhe nëpërmjet kombinimit të formës së shpërblimit në vlerë financiare me shkëmbimin  në  natyrë  të pasurisë, pronë private, që shpronësohet me një pasuri të paluajtshme në pronësi të shtetit, sipas rasteve të parashikuara në këtë vendim.

Në document specifikohet se, në çdo rast, shpërblimi në natyrë realizohet vetëm pasi të merret pëlqimi i subjektit që shpronësohet, pëlqimi duhet të jetë unanim nga të gjithë bashkëpronarët, të cilët duhet të dakordësojnë midis tyre për shpërblimin në natyrë. Në rast se ky kusht nuk plotësohet, mungesa e dakordësisë për dhënien e pëlqimit për trajtimin me shpërblim në natyrë nga ana e subjektit, që do të shpronësohet nuk e pengon vijimin e procedurës së shpronësimit, pasi kompensimi i pronarit të pasurisë së  paluajtshme, pronë private, në këtë rast do të bëhet me vlerë financiare, të parashikuar sipas shpronësimit klasik.

Agjencia Shtetërore për Shpronësim vlerëson, se pronarët e pasurive që kërkohen për shpronësim, si dhe personat e tretë të interesuar, të cilët kanë emrin në tabelën   e   publikuar bashkëlidhur kërkesës për shpronësim publik nr.374/9, datë 27.7.2023,  të publikuar në Fletoren Zyrtare nr.111, datë 27.7.2023, jo më vonë se 20 (njëzet) ditë nga publikimi i këtij njoftimi kanë të drejtë të depozitojnë kërkesën e tyre për trajtimin  me shkëmbim në natyrë pranë Agjencisë Shtetërore për Shpronësimin, me qëllim ndjekjen më tej dhe finalizimin e procedurave të shpronësimit.

Gara ndërkombëtare për ndërtimin e portit të ri tregtar në Porto-Romano me një fond limit prej 391 milionë euro u hap më 30 korrik dhe pritet që kontrata për nisjen e punimeve me kompaninë fituese të nënshkruhet në muajin mars të vitit të ardhshëm./Tema