Nën kujdesin e Përfaqësisë për Shqipërinë të Shoqatës së Industrialistëve dhe Biznesmenëve të Pavarur nga Türkiye (MÜSİAD Albania), në Shqipëri është organizuar një mbrëmje gala, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve të ndryshme turke, të institucioneve shqiptare dhe përfaqësuesve të biznesit nga vende të ndryshme.

Në eventin e organizuar në ambientet e një hoteli në Tiranë ishin të pranishëm zv.ministri turk i Tregtisë, Mahmut Gürcan, ambasadori i Türkiyes në Tiranë, Tayyar Kağan Atay, përfaqësues të tjerë të institucioneve turke në Shqipëri, përfaqësues të MÜSİAD-it, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, përfaqësues të ambasadave, si dhe të organizatave të ndryshme.

Në fjalën e tij, Gürcan theksoi se në Shqipëri ndihen si në shtëpinë e tyre dhe shtoi se do të mbështesin MÜSİAD-in në çdo etapë që është e nevojshme.

Ai u shpreh se Türkiye dhe Shqipëria në të gjitha nismat që kanë janë duke thelluar dhe forcuar mes tyre lidhjet në aspektin e tregtisë dhe zhvillimit ekonomik.

"Ne si objektiv kryesor kemi që të dy shteteve t’u mbrojmë rrugëtimin e tregtisë dhe rritjen e ekonomisë. Si Türkiye jemi falënderuese që kemi arritur suksese", tha Gürcan.

Duke folur rreth zhvillimeve në ekonominë e Türkiyes, Gürcan tha se ekonomia turke në tremujorin e dytë të vitit 2024 është rritur me 2,5 për qind.

Ambasadori Atay u shpreh se prezenca e përfaqësuesve të institucioneve turke në event është një mbështetje për hapjen e përfaqësisë së MÜSİAD-it në Shqipëri.

"Ndiej kënaqësi si ambasador i Republikës së Türkiyes për të qenurit në mënyrë natyrale partnerë strategjikë Türkiye dhe Shqipëria. Hapja e MÜSİAD Albania është një mbështetje, një burim ekonomik për të dyja vendet", tha ambasadori turk.

Ambasadori Atay shtoi se si Türkiye janë të kënaqur që MÜSİAD do të mbështesë zhvillimin e ekonomisë dhe tregtisë në Shqipëri.

Kryetari i MÜSİAD Albania, Muhammet İşler, në fjalën e tij u shpreh se dega e MÜSİAD-it, e krijuar në vendin mik dhe vëllazëror Shqipëri, në kuadrin e vlerave të përbashkëta kulturore dhe shpirtërore, do të çojë në një nivel më të lartë dimensionin ekonomik dhe tregtar të marrëdhënieve mes dy vendeve.

"Lidhjet vëllazërore midis Shqipërisë dhe Türkiyes kanë një histori të rrënjosur thellë që daton shumë shekuj. Këto lidhje nuk kufizoheshin vetëm në fushat politike dhe kulturore, vazhdojnë të forcohen në fushat tregtare, ekonomike dhe sociale", tha İşler.

Zëvendëskryetari i MÜSİAD-it, Davut Altunbaş, në fjalën e tij në ngjarje foli rreth MÜSİAD-it dhe aktiviteteve të shoqatës. "Me Shqipërinë kemi lidhje shumë të thella shekullore", u shpreh ndër të tjera Altunbaş.

Eventi u organizua në kuadër të aktiviteteve për hapjen e MÜSİAD Albania, ndërkohë pjesë e ngjarjes ishte edhe një program artistik me valle turke dhe shqiptare./aa

Hapet zyrtarisht MÜSİAD Albania