Në kantierin e aksit Thumanë-Kashar, pjesë e Korridorit Blu, një ndër akset më të rëndësishme që lidh veriun me jugun, janë realizuar deri më tani 40% e punimeve.
Kryeministri Edi Rama dhe zv/kryeministrja njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Blluku inspektuan sot këtë kantier, pjesë e Korridorit Blu.
Aksi do të jetë i shpejtësisë së lartë duke përmbushur të gjitha parametrat e sigurisë rrugore, ndërsa parashikohen edhe një sërë veprash të tjera, mbikalime, 11 ura, 12 nënkalime e kryqëzime, por edhe rrugë aksesi për qytetarët.
Balluku theksoi se gjurma e rrugës është rreth 21 km ndërkohë që po ndërtohen edhe rrugët paralele për t’i dhënë mundësi qytetarëve të zgjedhin autostradën e shpejtësisë me pagesë ose rrugët paralele pa pagesë.
“Gjithë Korridori Blu shoqërohet me rrugë paralele. Në këtë aks rruga paralele është rreth 16 km dhe këtu punohet njëkohësisht në të dyja kantieret”, theksoi ajo.
Ministrja theksoi se kemi një autostradë përmbush të gjitha kushtet dhe parametrat. “Autostrada është me 4 korsi normale 3.75 metra secila dhe dy korsi emergjence nga 3 metra secila. Vetëm ky projekt, Thumanë-Kashar do të ketë 11 ura dhe 12 nënkalime”, shtoi ajo.
Sipas Ballukut, procesi më i rëndësishëm është lidhja e nyjes së Rinasit që do të bashkërendohet edhe me bajpasin e Tiranës.
“Nuk duhet të kemi mbivendosje të projekteve. Po mundohemi të jenë të gjitha në të njëjtën kohë nga Muriqani në Kakavijë, pasi është detyra e ARRSH-së që të mbikëqyr të gjithë procesin”, tha Balluku.
Ministrja theksoi se punimet në aksin Thumanë-Kashar janë shumë të avancuara, ndërsa problematika më e madhe është zona e Fushë-Krujës që është e ngarkuar gjatë gjithë kohës por sidomos në verë.
“Mendojmë që brenda 12 muajsh të jetë totalisht e realizuar kjo si rrugë”, tha ajo.