Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani u bëri thirrje sot të gjithë qytetarëve shqiptarë jashtë vendit, që kanë humbur dokumentin e udhëtimit ose që u ka përfunduar afati i vlefshmërisë të aplikojnë online në platformën e-albania për shërbimin “Lejekalimi” në Misionin Diplomatik dhe Postin Konsullor të Republikës së Shqipërisë më të afërt.

Kjo, theksoi Hasani, mundëson shkurtimin e kohës nëpërmjet shërbimeve konsullore online.

Qytetarët duhet të hyjnë në platformën e-Albania, të zgjedhin shërbimin aplikim për leje kalimi. Pasi të klikojnë “Aplikim i ri”, duhet të plotësojnë formularin elektronik dhe të ngarkojnë dokumentin verifikues. Në e-mail do t’iu mbërrijë konfirmimi dhe kodi i veçantë i aplikimit. Pas pranimit të aplikimit duhet kryer pagesa dhe duhet dërguar mandati origjinal me postë. Qytetari do të njoftohet elektronikisht për përfundimin e aplikimit.

Ky shërbim mund të merret brenda ditës në rastet e paraqitjes fizike në Ambasadë apo Konsullatë ose mund të kërkohet shërbimi postar me pagesë.

Për shtetasit shqiptarë minorenë që nuk janë pajisur më parë me dokument udhëtimi ose i ka skaduar afati i pasaportës aktuale, njëri prej prindërve ose kujdestari ligjor, duhet të paraqitet fizikisht pranë Misionit Diplomatik më të afërt.

Për më shumë qytetarët mund të klikojnë në: https://punetejashtme.gov.al/aplikim-per-leje-kalimi/

/ata