Në kuadër të rubrikës së re “Mëso duke pushuar”, mësuesit ndajnë disa këshilla të dobishme për fëmijët.
Në një postim në rrjetet sociale, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu ndau këshillat e mësues Teuta Biçaku për lëndën e Diturisë së Natyrës.
“Pushimet verore bëhen edhe më të bukura kur në të njëjtën kohë ndihmojmë fëmijët që të rifreskojnë njohuritë që kanë marrë në lëndën e Diturisë së Natyrës”, tha Manastriliu.
Në rubrikën e sotme mësuese Teuta Biçaku jep disa këshilla, sesi duke eksploruar natyrën fëmijët mësojnë më shumë për gjallesat dhe bimët që rriten në vendin tonë.
Duke iu drejtuar fëmijëve, mësuese Biçaku tha se “ju mund të shkoni me pushime argëtuese dhe në të njëjtën kohë të rifreskoni njohuritë që keni marrë në lëndën e “Diturisë së Natyrës”.
“Kjo mund të bëhet duke ndjekur disa këshilla të thjeshta; Gjatë pushimeve dilni me prindërit dhe eksploroni natyrën. Mund të shkoni për shëtitje në pyll, në parkun afër shtëpisë. Mund të rrini buzë lumit apo në breg të detit duke vëzhguar gjallesat që shihni, përpiquni t’i identifikoni vetë në fillim pastaj mund të kërkoni ndihmën e prindërve. Vizitoni gjyshërit në fshat apo kudo që të jenë. Përfshihuni në aktivitete me ta brenda dhe jashtë shtëpisë dhe mos hezitoni të bisedoni për gjërat që vëreni sepse ata janë një enciklopedi e gjallë për vetë përvojën e tyre jetësore apo lidhjet e forta që kanë pasur dhe kanë me natyrën”, tha mësuese Biçaku.
Ajo u shpreh se “e di qe jeni kuriozë dhe shumë pyetje mund t’iu lindin, por mbajini shënim ato në një fletore dhe kur të ktheheni në shtator në klasë iu japim bashkë përgjigje”./ata