Muzeu “Gjergj Kastrioti” në Krujë, me një trashëgimi kulturore të pasur, është një nga atraksionet më të mëdha të turistëve që janë kuriozë për të njohur historinë e kombit tonë dhe në veçanti atë të heroit kombëtar, duke e bërë atë sot muzeun më të vizituar në Shqipëri, me plot 86,708 vizitorë vetëm në 7-mujorin e parë të vitit.
Shifrat i bëri publike sot, ministri i Ekonomisë, Kulturës e Inovacionit, Blendi Gonxhja, i cili përmes rrjeteve sociale ndau lajmin se vizitueshmëria e këtij muzeu, krahasuar me vitin 2023, është rritur me më shumë se 90%.
Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastrioti” qëndron madhështor në një nga kalatë më epike të historisë shqiptare. Që në hyrje vizitorët prezantohen me skulpturën “Skënderbeu dhe Populli”, një vepër artistike që nderon unitetin e popullit në kohën e heroit tonë kombëtar. Trashëgimia e pasur e këtij muzeu tregohet duke nisur nga antikiteti me artefakte të 4 mijë viteve më parë, të cilat përfshijnë armë ilire, qeramika e monedha antike. Muzeu përmban materiale shpjeguese edhe të kohës së principatave arbërore, e historisë madhështore të Skënderbeut që tërheq gjithnjë e më shumë turistët, kuriozë për të njohur historinë./ata