Në kulmin e sezonit turistik Etno Fest ka mbërritur në Sarandë.
Eventi bën bashkë në qytetin e bukur të Sarandës, të gjitha trevat shqiptare, në panairin kulturor që shpalos vlerat kombëtare.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj ndau në rrjete sociale posterin e Etno Saranda që mbahet nga data 2 deri më 12 gusht në shëtitoren e Sarandës dhe Ksamil.
Për 11 ditë radhazi në stendat e panairit ekspozohen punime të mjeshtërisë artizanale, vepra të artistëve vendas, ndërsa nuk do të mungojnë këngët dhe vallet tradicionale.
Ky aktivitet është një etnomozaik dhe bën së bashku artizanë, zejtarë, piktorë, skulptorë për të promovuar trashgiminë kulturore duke qenë dhe një produkt turistik i shtuar për qytetin e bukur të Sarandës.
Eventi po tërheq vëmendjen e turistëve vendas dhe të huaj, ku spikat autenticiteti tradicional shqiptar që është një vlerë e shtuar për turizmin në vendin tonë.
Mbrëmjeve në Sarandë dhe Ksamil, shëtitoret janë të mbushura me pushues nga vende të të ndryshme të botës, vëmendjen e të cilëve këtë fillimgushti e ka tërhequr dhe tradita shqiptare./ata