Pickimet e mushkonjave të infektuara me virusin e Nilit Perëndimor kanë prodhuar një “lumë” tenderësh të hapur nga institucionet shqiptare. Instituti i Shëndetit Publik ka hapur 14 procedura me vlerë gati 5 milionë lekë për dezinsektimin e vendit deri në fund të muajit të shkuar.
Fier, Lushnja dhe Vlora janë qytetet me numrin më të lartë të tenderëve të çelur për spërkatje kundër mushkonjave, ndjekur nga Divjaka, Tirana, Durrësi, Shkodra dhe Lezha.
Sipas ISHP, në Shqipëri janë të pranishme 43 lloje të ndryshme mushkonjash, një pjesë e së cilave sollën pas 13 vitesh në Shqipëri sëmundjen e Etheve të Nilit Perëndimor.
Në maj të vitit 2014, Instituti i Shëndetit Publik nisi për herë të parë, pas më shumë se dy dekadash, operacionin për dezinsektimin e bregdetit shqiptar. Pavarësisht burokracive të vogla, procesi vijoi deri në vitin 2020.
Në periudhën 2021-2022 dezinsektimi mbeti peng i tenderëve që nuk arritën të mbyllen në kohë, për shkak të procedurave ankimuese nga kompanitë pjesëmarrëse. Një histori e përsëritur edhe në vitin 2019, e cila ka përfunduar në SPAK për shkelje të barazisë në tenderë./SyriNet