Pas humbjes në zgjedhjet e pjesshme në Himarë, kandidati i opozitës Petraq Gjikuria reagoi në rrjetet sociale lidhur me rezultatin zgjedhor.
“Patëm një betejë të madhe. Një betejë e cila ishte vazhdim i shumë betejave të mëdha që kanë bërë himariotët, sidomos vitet e fundit të udhëhequr nga Fredi Beleri. Kjo betejë ishte pararojë e betejave të ardhshme që do të thirremi për vendin tonë”, u shpreh ai.
Gjikuria theksoi se “në këto zgjedhje pamë metoda antidemokratike në të gjitha stadet e tyre”.
“Rezultati ishte produkt i transformimit të listës së zgjedhësve me qëllim përshtatjen e saj me interesat e kundërshtarëve tanë, duke i dhënë mundësinë një ushtrie partiake të merrte pjesë në zgjedhje dhe njëkohësisht, duke u mohuar këtë të drejtë mijëra qytetarëve të Himarës, si dhe duke përfshirë shtetin dhe parashtetin”, u shpreh ai.
Qëllimi, sipas tij, “ishte pasja e një tjetër kryebashkiaku të dobët, i cili do t’u shërbejë interesave të Edi Ramës dhe partisë së tij”.
Gjikuria falënderoi të gjithë ata që e ndihmuan në këtë fushatë elektorale “për garën e bukur dhe të ndershme që bëmë. Beteja për të nesërmen e Himarës vazhdon”./ata