Kandidati fitues i zgjedhjeve të pjesshme në bashkinë e Himarës, Vangjel Tavo reagoi sot lidhur me deklaratën e kandidatit të opozitës, Petro Gjikuria, i cili ngriti akuza për tjetërsim të vullnetit të banorëve të Himarës.

Tavo shprehu keqardhjen për reagimin e Gjikurisë, ndërsa ripërsëriti ftesën për të bashkëpunuar me të si nënkryetar i bashkisë Himarë.

“Sot Himara kishte një arsye të madhe për t’u gëzuar, sepse ishte ajo fituesja e 4 gushtit, sikurse edhe unë e kisha dhe e kam zemrën plot nga mesazhet e pafundta të urimeve nga shumë e shumë banorë të Himarës, e mbështetës brenda e jashtë vendit. Por, një shkëndijë më shumë e këtij gëzimi ishte edhe telefonata juaj e urimit e para pak orëve. E vlerësova shumë dhe e pranova sinqerisht si një akt qytetarie dhe si sjellje e një njeriu me mendësi të hapur perëndimore, por, pa e mohuar, e prita edhe me shpresën se po më telefonoje për të pranuar ftesën time publike për t’iu bashkuar programit tonë të drejtimit të Bashkisë Himarë në pozicionin e zëvendëskryetarit”, u shpreh Tavo.

“Por, pritshmëria ime e lartë ndaj teje zgjati vetëm pak e tani jam i keqardhur për reagimin tënd, a thua se Himara është një fushë betejash ku përballen ushtri armike dhe jo alternativa politike dhe qytetare, si në të gjithë Shqipërinë demokratike”, shtoi ai.

Tavo kujtoi se këtë herë në Himarë pati më shumë votues sesa vjet, kur qeveria e kishte shtyrë afatin e skadimit të kartave të identitetit.

“Dhe rezultati është ky që është, produkt i vullnetit të lirë të qytetarëve, ndërkohë që nuk pati se as nuk kishte si të kishte mijëra zgjedhës të cilëve iu mohua e drejta, pasi koha e votimeve 99.99% ka ikur me diktaturën”, u shpreh Tavo.

“Po, e vërtetë! Pati disa dhjetra qytetarë, votues të tutë dhe të mitë, që nuk mundën të votonin për shkak të dokumentave të skaduar të idenditetit, për të cilët kush e dëgjoi thirrjen e ministrisë së brendshme dhe e rinovoi mundi edhe të votonte normalisht. Prandaj unë të përsëris ftesën time që të mos largohesh andej nga erdhe, po të qëndrosh bashkë me mua në krahun tim, në pozicionin e nënkryetarit të bashkisë”, u shpreh Tavo.

“Do të isha shumë i nderuar nëse do ta pranoje propozimin tim, ndërsa në rast të kundërt të uroj megjithë zemër rrugë të mbarë për Amerikë dhe suksese atje. Por në të gjitha rastet le të mbetemi në kontakt dhe për Himarën mos u shqetëso, sepse është në duart të sigurta dhe ka mbështetjen e padiskutueshme të Edi Ramës dhe Partisë Socialiste”, tha në përfundim Tavo./ata