Qendra Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza” deklaroi sot se në QSUT nuk përdoren ilaçe të skaduara.

Në një reagim lidhur me lajmet e fundit të publikuara nga disa medie për cilësinë e medikamenteve të përdorura, QSUT njofton qytetarët se këto lajme janë të pavërteta.

“Ato që janë servirur si “dokumente” dhe “prova” kanë të bëjnë me procesin e menaxhimit administrativ, dhe NUK kanë të bëjnë në asnjë rast me lëvizjen fizike të sasisë gjendje të medikamenteve të magazinuara dhe aq më tepër për përdorimin e tyre për pacientët. Kjo është lehtësisht e provueshme në Farmacinë e Spitalit”, thuhet në deklaratën e QSUT-së.

QSUT thekson se “ngritja e këtyre pretendimeve të pabaza, po dëmton qëllimisht punën e ekipit mjekësor në shërbim të pacientëve. Sqarojmë se në sistemin elektronik SISP, lëvizja e medikamenteve në të gjitha nivelet, nga Farmacia Qendrore deri në nivel pacienti, bëhet vetëm brenda vlefshmërisë (skadencës) së medikamentit, dhe pas këtij afati, çdo lëvizje bllokohet automatikisht nga sistemi në të gjitha nivelet”.

“Theksojmë që për terapinë ditore të pacientit, është e bllokuar dhe e pamundur të shkarkohet një medikament i skaduar.  Nuk ekziston dhe nuk ka asnjë rast apo mundësi të ndryshimit të skadencës së një medikamenti. Në lidhje me rastin e pretenduar theksojmë se për nevoja administrative, me qëllim diferencimin e medikamentit të skaduar është kërkuar transferimi i sasisë së medikamentit të skaduar nga një magazinë në tjetrën. Kjo për arsye se medikamenti i skaduar fizikisht duhet zhvendosur në karantinën e përcaktuar për ruajtjen e medikamenteve të skaduara, sipas rregullave në fuqi. Kjo procedurë po përdoret në mënyrë spekulative si rast ku këto ilaçe janë përdorur për pacientë”, nënvizohet në deklaratën e QSUT.

QSUT siguron se kjo gjë nuk ka ndodhur dhe se sasia stok e medikamenteve të skaduara është e pandryshuar.

“Nëse do ishte përdorur, do kishte ndryshim të gjendjes stok, çka provon se ky pretendim i hedhur qëllimisht në media është dezinformues. Veprimet në sistem bëhen kryesisht pas orës 16.00 me qëllim shmangien e lëvizjes së tyre gabimisht nga përdorues në nivelet e tjera (përgjegjës te farmacive spitalore ose kryeinfermier të pavijoneve) që operojnë në sistem deri në orën 16.00”, thuhet në deklaratë.

Për sa i përket citimit se është mashtruar Parlamenti, në korrespondencë zyrtare QSUNT është shprehur se: “Aktualisht në Farmacinë Qendrore NUK ka sasi të medikamentit Feiba (Factor VIII inhibitor bypassing activity) 1000 UI Flakon…; Kjo, pasi sasia e mbetur prej 1137 flakon nga donacioni i përfituar për herë të parë gjatë vitit 2023, me impakt buxhetor 0 (zero) lekë, është i papërdorshëm. Qartësojmë gjithashtu se medikamenti FEIBA, nuk është kemiopreparat”.

QSU “Nënë Tereza”, mbetet e hapur për qartësimin e çdo pretendimi siç u deklarua edhe në Komision parlamentar si dhe për transparencën e nevojshme që i shërben besimit mjek-pacient.

Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi akuzoi dje ish-drejtoreshën e QSUT-së, Albana Fico se ka ndërhyrë në sistem për të fshirë përkohësisht datën e skadencës të një medikamenti./ata