Shqiptarët po ndërgjegjësohen gjithmonë e më shumë për të siguruar pronën nga Zjarri dhe Forcat e Natyrës, edhe për faktin se fenomentet e ndryshme natyrore po bëhët gjithmonë e më shumë të pranishëm. Sipas të dhënave të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, për 7-mujorin e këtij viti, në portofolat e Pronës, Përgjegjësive dhe Garancive u siguruan mbi 2.6 miliardë lekë të ardhura në total, ndërsa vendin e parë e zuri Zjarri dhe Dëmtime të Tjera në Pronë me rreth 1.6 miliardë lekë apo 72.6% të totalit.

Gjatë periudhës janar-korrik të këtij viti, vihet re një rritje e portofolit të sigurimit nga Zjarri dhe Forcat e Natyrës me 3.27% të vëllimit të primeve të shkruara bruto, ndërsa numri i kontratave u rrit me 3.55%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ndërkohë, temperaturat e larta gjatë muajve të verës kanë shkaktuar zjarre të shumtë në vend, që në shumicën e rasteve kanë qënë të qëllimshëm, duke shkaktuar dëme të mëdha në pyje, kullota apo pemëtari. Gjatë 24-orëve të fundit, Ministria e Mbrojtjes bën me dije se janë shuar 43 vatra, nga 48 në total. Në operacione janë angazhuar 655 forca operacionale dhe 63 automjete, si dhe helikopteri Cougar i Forcës Ajrore.

Zjarret janë shuar në qarqet Kukës, Dibër, Shkodër, Lezhë, Durrës, Tiranë, Fier, Vlorë e Gjirokastër. Gjithashtu, po punohet për shuarjen e vatrave aktive në njësinë administrative Surroj, në Kukës, ku zjarri vazhdon të jetë aktiv prej ditësh në një sipërfaqe pyjore. Gjithashtu, zjarre aktive ka edhe në Tropojë, ku situata është normalizuar, dhe në Mirditë, ku zjarri u zhvillua në një sipërfaqe me shkurre dhe pemëtari./Scan