Një sasi tritoli ka shpërthyer në banesën tre katëshe të familjes Lika në fshatin Sanxhak. Lidhur me ngjarjen policia ka shoqëruar në komisariat 10 persona, të cilët janë marrë në pyetje.

 

Mes personave që kanë dhënë dëshminë e tyre në policie janë dhe pjesëtarë të familjeve me të cilët kanë hasmëri familja që ishte objektiv i sulmit, por kanë mohuar të kenë lidhje me vendosjen e lëndës shpërthyese dhe janë lënë sërish të lirë. Në pjesën e përparme të banesës tre katëshe, ka patur kamera sigurie, por sipas burimeve nga grupi hetimor kanë qenë jashtë funksioni.

 

Policia ka sekuestruar dhe po analizon kamerat e disa banesave dhe bizneseve në zonë, por nga kqyrjet e deritanishme të pamjeve asnjëra prej tyre nuk i ka fokusuar lëvizjet e autoreve që mendohet të kenë qenë më shumë se 2 persona. Ndërkohë nuk është përcaktuar sasia dhe lloji i lëndës plasëse, por referuar forcës së shpërthimit dhe dëmeve që ka shkaktuar mendohet të ketë qenë rreth 500 gram. Ngjarja ndodhi rreth orës 3 e 30 minuta të mëngjesit të së premtes në fshatin Sanxhak të Kurbinit dhe objekt i sulmit me lëndë plasëse ishte banesa e Skënder Likës.

 

Shpërthimi ishte i fortë duke shkaktuar dëme të shumta materiale dhe në objekte të tjera aty pranë, por fatmirësisht nuk pati persona të lënduar. Pista kryesore e hetimeve është përqendruar tek hasmëria, pasi Skënder Lika, është  babai I autorit të vrasjes së biznesmenit Rakip Roli. Ndërkohë dhe nipi i tij, Ilir Lika është dënuar nga gjykata si bashkëpunëtor i në vrasjen dy biznesmenëve, Paulin Gjergji dhe Bujar Lika, ngjarja e ndodhur brenda një lokali në Kurbin në vitin 2020.