Policia Rrugore Gjirokastër ka kryer kontrolle të shumta me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore me pasoja për jetën e përdoruesve të rrugës dhe për rritjen e parametrave të sigurisë rrugore.
Si rezultat i kontrolleve të ushtruara gjatë një jave, janë arrestuar në flagrancë 2 drejtues automjetesh dhe është proceduar në gjendje të lirë 1 tjetër, për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor dhe për drejtim të automjetit, në mënyrë të parregullt. Gjithashtu, është pezulluar një leje drejtimi për drejtim të mjetit, nën efektin e alkoolit.
Si rezultat i monitorimit të akseve rrugore të qarkut, me shërbime të shtuara dhe me pajisje të logjistikës bashkëkohore:
• Janë ndëshkuar 141 drejtues mjetesh, për parakalime të gabuara;
• Janë ndëshkuar 44 drejtues automjetesh, për mosvendosjen e rripit të sigurimit;
• Janë ndëshkuar 135 drejtues automjetesh, për ndalim ose pushim të automjetit, në kundërshtim me sinjalistikën rrugore.
Policia Rrugore e Gjirokastrës do të vijojë kontrollet në të gjitha akset rrugore urbane, interurbane dhe rurale, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë rrugore.
Drejtoria Vendore e Policisë Gjirokastër apelon për zbatimin me rigorozitet të rregullave të qarkullimit rrugor, në favor të jetës dhe shëndetit tuaj.