Lee Hockstader
Ata mijëra parizianë të shqetësuar që u larguan nga qyteti përpara Olimpiadës, duke u ankuar se ishin detyruar të iknin nga ndërprerjet e parashikuara, tani me siguri po ndjejnë keqardhjen mërgimtarëve.
Lojërat e kanë kthyer qytetin e tyre në një skenë magjike, të mbushur me këngë, festë, art. Shumë nga bulevardet më madhështore dhe hapësirat publike më të bukura tani pushtohen çdo natë nga gëzimi i pastër.
Nëse Franca në kohët e zakonshme është një parajsë e banuar nga njerëz që mendojnë se janë në ferr, siç thoshte shkrimtari Sylvain Tesson, Lojërat Olimpike kanë nxitur të paktën një reflektim të çastit mes shumë francezëve.
Krenaria kombëtare është e shkruar në fytyrat e njerëzve – dhe jo vetëm në bojën trengjyrëshe që tifozët francezë vendosin në faqe.
Disa nga shkaqet janë mjaft të qarta. Si fillim: Leon Marchand, fenomeni francez i notit me katër medaljet e tij të arta. Francezi Teddy Riner, kampioni i peshave të rënda në xhudo, i cili fitoi medaljen e tretë të artë individuale, në pesë Olimpiada.
Ekipi i regbisë, të cilët fituan medaljen e artë kundër një skuadre që supozohej se ishte e pamposhtur në ditën e parë të plotë të Lojërave.
Kur kishte kaluar pak më shumë se gjysma e 16 ditëve të garës, Franca kishte fituar 43 medalje, sasia më e madhe që nga Lufta e Dytë Botërore dhe e treta në renditje pas Shteteve të Bashkuara dhe Kinës.
Përparësia e të luajturit në shtëpi ndoshta ka të bëjë. Shpesh Parisi duket si një skenë ekstravagante e vendosur nga e kaluara, me pllakatet dhe tabelat e rrugëve që tregojnë legjionet e njerëzve të famshëm që jetonin në këtë adresë ose në atë rrugë. Nuk ka mungesë të amerikanëve të famshëm – Ernest Hemingway, natyrisht, dhe Josephine Baker, George Gershwin dhe James Baldwin, ndër të tjerë.
Megjithatë, për 10 ditët e fundit, spektakli i bukurisë së jashtëzakonshme të Parisit është riformuar dhe modernizuar, dhe jo nga ndërtime apo instalime të reja – edhe pse ka disa prej tyre, që janë mbresëlënëse dhe të çuditshme.
Ajo që është më befasuese është se si Lojërat kanë ripërdorur madhështinë e njohur të qytetit, duke dyfishuar jo vetëm magjinë e tij, por edhe entuziasmin e tifozëve francezë.
Volejbolli në plazh është një sport i bukur, por vendoseni nën sfondin e Kullës Eifel dhe do të shihni se edhe më indiferentët do interesohen. Kam kaluar dy pasdite atje i rrethuar nga spektatorë francezë, shumë prej të cilëve mund ta shohin kullën çdo ditë, por vazhdojnë të murmuritin kur e shohin përsëri: “Po, është shumë e bukur”.
Brenda hapësirës së madhe të Grand Palais, ambienteve të mahnitshme për garat me pengesa, tifozët pak netë më parë u marrosën – fillimisht për ekipin francez të femrave, për një medalje, pastaj për ekipin ukrainas të femrave, e cila fitoi medaljen e artë. Asnjëherë më parë euforia e një turme nuk ka ngritur një çati më madhështore.
Më në fund, Lojërat Olimpike i kanë hequr stereotipet e një vendi – ngritja tipike e supeve; mosmiratimi i vrenjtur i shprehjeve të entuziazmit të hapur, e lëre më ngazëllimi, gjëra që konsideroheshin tepër “amerikane”. Këto klishe nuk i mbijetuan kontaktit të parë me medaljet e arta të Francës.
Është një fakt që për vite të tëra, pjesë të qytetit janë gentrifikuar, banorët e tij më të varfër janë shtyrë jashtë nga Airbnb, nga nomadët dixhitalë, nga elita e globalizuar e botës dhe pied-à-terre e tyre pariziane. Biletat për shumë nga aktivitetet olimpike janë të shtrenjta; pa dyshim që shumë prej spektatorëve francezë janë të kënaqur.
Por ishte po aq e vërtetë që qindra mijëra njerëz në brigjet e Senës për Ceremonitë e Hapjes së Lojërave, shumë me bileta falas, ishin një turmë multikulturore.
Nga vendi ku shikoja nën një shi të dendur, poshtë lumit pranë Kullës Eifel, momenti më elektrizues ishte kur Aya Nakamura, këngëtarja franceze, u shfaq në ekrane të mëdha duke u hedhur mbi një urë mbi Senë me një minifustan Dior me pendë të artë. Ajo ishte e rrethuar nga gjashtë kërcimtarë multikulturorë si dhe një bandë marshimi e gjitha me të bardhë, pjesë e Gardës Republikane.
Atje, nën sfondin e Akademisë Franceze me kupolë ari përgjatë Senës, ishte Franca e re dhe e vjetër, e egër dhe e ngurtë, duke shkrirë kodet e saj, duke bërë diçka të re. Rreth meje, në shi, të gjithë të bërë qull, buzëqeshnin dhe kërcenin.
Festë e çfarë feste! Mund të harrosh, për momentin, kritikat e çuditshme të qytetit – për “muzeumizimin” e tij dhe se si Parisi është kthyer në një park argëtimi për të pasurit, i kalcifikuar nga burokracia e pamundur, i paralizuar nga politika jofunksionale.
Por në vend të kësaj, kishte pamje mahnitëse, të papara më parë. Policë me pushkë sulmi, të cilët ofronin buzëqeshje dhe udhëzime ndihmëse me mirësjellje. Në Place de la Concorde, ku revolucionarët i prenë kokën një mbreti dhe mbretëreshe franceze, bllokimet epike të trafikut u zëvendësuan nga skateboardistë olimpikë dhe kërcimtarë.
Festa në Paris nuk është thjesht e lëvizshme. Është praktikisht kudo, e njëkohëshme, verbuese. Në këtë Olimpiadë, për një herë të vetme, sfondi nuk është qyteti. Janë Lojërat.
The Washington Post – Bota.al