Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta deklaroi sot se, arsimi në Shqipëri është në ditët e tij më të këqija.

Në fjalën e tij në një tryezë për arsimin në Elbasan, Meta tha se, “nga viti 2017 deri në vitin 2022 në të gjithë vendin janë mbyllur 196 shkolla fillore dhe 9-vjeçare. Po gjatë kësaj periudhe janë mbyllur edhe 33 shkolla të mesme. Pra, në total në 5 vjet kemi humbur 202 shkolla publike sipas të dhënave të vetë Ministrisë së Arsimit. Kjo është alarmante për një vend të vogël si Shqipëria”.

“Mbyllja e shkollave për shkak të largimit të mijëra familjeve çdo vit ka sjellë vështirësi edhe te ata që mbeten e duan të arsimohen. Mijëra nxënës nëpër rrethe detyrohen të udhëtojnë me orë për të ndjekur mësimin në shkollën më të afërt e mijëra të tjerë mësojnë në klasa të bashkuara. Këtyre dy faktorëve që ulin drastikisht cilësinë e mësimdhënies dhe mësimnxënies u shtohet mungesa e laboratorëve, që në pjesën më të madhe të shkollave në rrethe nuk ekzistojnë. Ndërsa qeveria flet për smartlabe e regjistra online, vetëm pak kilometra larg Tiranës shkollat nuk kanë akses në internet”, u shpreh Meta.

Kreu i PL theksoi se, “shkollat 9-vjeçare dhe gjimnazet, fatkeqësisht nuk janë më vatra të dijes. Kurrikulat e ndryshuara disa herë, përmes pseudoreformave, kanë prodhuar vetëm dështim. Alterteksti rezultoi një biznes në kurriz të fëmijëve e prindërve, ndryshe nga sa u propagandua si përzgjedhje cilësie”.

“Arsimi profesional është i keqfinancuar. I njëjti kryeministër që tetë vjet më parë deklaronte se “punë ka, por nuk ka profesionistë”, del e thotë sot se 70% e kërkesave për punëtorë janë për profesionistë e zanatçinj, a thua se nuk ka qenë vetë në krye të qeverisë përgjatë këtyre viteve. Pasi e neglizhoi për dy mandate, tani kujtohet ta zhvendosë barrën te biznesi duke u imponuar ta financojnë arsimin profesional. Vetëm 0.14% e PBB-së është mbështetja që qeveria ka parashikuar për arsimin profesional, ndërkohë që paratë e buxhetit të shtetit derdhen lumë për PPP-të që u jepen klientëve të qeverisë”, shtoi Meta.

Sipas tij, nismat e Ministrisë së Arsimit kanë qenë një zinxhir dështimesh.

““Bëjmë detyrat e shtëpisë”, e propaganduar me bujë në vitin 2018, mbeti një nismë gjysmake që nuk arriti ta kthejë shkollën në një institucion që u vjen në ndihmë mijëra prindërve, të detyruar t’u drejtohen qendrave private që kushtojnë jo pak. Pra, flasim për arsim falas, por jemi të detyruar të paguajmë”, tha Meta.

“Orientimi drejt inovacionit ishte një tjetër mashtrim i kësaj qeverie. Nuk ka investime, por vetëm propagandë. Kabinetet gjysmake të teknologjisë edhe si të tilla krijojnë pabarazi mes nxënësve, sepse u japin akses vetëm disa prej shkollave ku ka internet. Në shkollat e periferive, nxënësit vetëm mund t’i ëndërrojnë”, shtoi Meta.

Ai nënvizoi se, nëse mbyllja e shkollave tregon sa ka dështuar kjo qeveri me arsimin, rezultatet e testeve PISA tregojnë sa thellë është zhytur ajo në këtë dështim.

“Rezultatet e Maturës Shtetërore e kanë treguar çdo vit rënien drastike të cilësisë së arsimit të mesëm. Testet PISA treguan se situata është alarmante. Shqipëria është në vendin e 69-të nga 80 vende që u bënë pjesë e testimit. Fatkeqësisht kemi bërë hapa mbrapa, jemi më keq seç ishim 20 vjet më parë. Shqipëria ka humbur në matematikë 69 pikë, në letërsi 47 pikë, në shkencë 41 pikë. Analfabetizmi funksional, me këtë ritëm, do të jetë brenda pak viteve një problem masiv”, shtoi Meta.

“Shkollat e mbetura hapur rrezikojnë të mbeten pa mësues. Të pamotivuar financiarisht, ata që duhet të jenë edukatorët e brezit të ri janë kthyer sot në ushtarë virtualë që shpërndajnë ato që qeveria përpiqet t’i shesë si arritje. 159 mësues matematike mungojnë sot në sistemin 9-vjeçar dhe të mesëm Pagat e ulëta nuk i inkurajojnë të rinjtë të ndjekin degët e mësuesisë”, theksoi më tej Meta.

Fatkeqësisht, shtoi ai, “sot në degë të mësuesisë, si fizika në Universitetin e Tiranës, kemi vetëm 7 studentë, në degën e historisë në Universitetin e Durrësit kemi vetëm një student. Ndërsa universitetet e rretheve zbrazen me ritëm të frikshëm, 100 degë të tjera rrezikojnë të mbyllen vitin e ardhshëm. 54 mijë studentë kemi humbur që nga viti 2013. Një në tre maturantë pret të largohet nga Shqipëria”.

“Në përpjekje për të mbushur auditoret qeveria mashtron me premtime për bursa. VKM e qershorit 2023 për degët prioritare është shkelur me të dy këmbët nga vetë qeveria, e cila ka ndryshuar rregullat pasi siguroi se degët prioritare nuk do të mbylleshin. Nga 346 studentë të Universitetit Bujqësor, që prisnin të përfitonin nga VKM e qeverisë për bursat, kanë përfituar vetëm 80! Kjo sepse krejt papritur, qeveria vendosi të vendosë kriter mesataren”, vijoi më tej Meta.

Ai theksoi se, “të gjitha dështimet në arsim e kanë origjinën te mashtrimi fillestar i kësaj qeverie. Premtimi i dhënë në vitin 2013 dhe i pambajtur kurrë për buxhetin sa 5% e PBB-së ka prodhuar një sistem që prodhon vetëm regres. Sot arsimi financohet me vetëm 2.29% të PBB, pedagogët janë të keqpaguar dhe financimi i kërkimit shkencor me vetëm 0.05% të GDP-së nuk motivon asnjë prej tyre”.

“Arsimi shqiptar është sot në ditën më të zezë të tij. Të rinjtë e këtij vendi janë më të pashpresë se kurrë. Vendi po shpopullohet me të njëjtin ritëm që zbrazen vendet në luftë. Ikja masive e shqiptarëve na kujton edhe njëherë vitet ’90, ndryshon vetëm mënyra si iket nga ky vend. Ndaj ringritja e arsimit është arma më e fortë për ta kundërshtuar humbjen e shpresës dhe largimin e pjesës më vitale të shoqërisë shqiptare. Ne kemi propozuar një pakt kombëtar me disa pika për arsimin, i cili parashikon  reformimin e thellë të kurrikulave shkollore, depolitizimin e institucioneve, buxhetimin në masën 5% dhe rritjen e pagave për mësuesit dhe pedagogët. Arsimi duhet të jetë prioritet kombëtar nëse duam ta shpëtojmë Shqipërinë”, përfundoi Meta./ata