Epidemiologu Ilir Alimehmeti tha sot se vendi nuk ndodhet në situatë alarmante, por në nivelin bazë të alertit për përhapjen e virusit të Nilit Perëndimor.

Në një intervistë televizive, Alimehmeti tregoi simptomat që ka ky virus dhe rastet kur duhet të shqetësohemi dhe të shkojmë në spital.

“Nuk është një virus që nuk e njohim apo Evropa nuk e ka parë më parë. 366 raste ka pasur në Itali një vit më parë dhe pak më pak në Greqi, e në vendet e tjera që na rrethojnë. Por te ne nuk raportojnë. Duhet të kemi kujdes me rastet, pasi ata që paraqiten në spital shkojnë në gjendje të rëndë”, tha Alimehmeti.

Sipas tij, shumica dërrmuese e rasteve, 80% nuk ka asnjë lloj shenje, një tjetër 19% ka shenja të lehta dhe vetëm 1% e rasteve është kjo që agravohet dhe paraqitet në spital.

“Nuk ka shenja specifike. Çdo lloj viroze tjetër ka të njëjtat shenja, dhimbje fyti, trupi, koke, pak temperaturë. Kur rëndohet, ajo prek njerëzit e moshuar me sistem imunitar të ulët. Humbjet e jetës janë afërsisht 0.1% të rasteve të infektuara”, u shpreh mjeku.

Sipas tij, ky virus nuk kalon nga njeriu te njeriu, por transmetohet vetëm nga mushkonjat.

Alimehmeti tha se “ky virus shkakton prekje të sistemit nervor qendror dhe shenjat janë shumë të forta”./ata