Ura e Mesit, 8 km larg qytetit të Shkodrës mbi lumin Kir, është një monument kulture me vlera të mëdha dhe simbol i qytetërimit të lashtë.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga Ura e Mesit, e cila pas restaurimit është kthyer në destinacion turistik.

“Vizitorët dhe turistët e huaj zbukurojnë edhe kurorën e Urës së Mesit në Shkodër, një ikonë e rilindur e historisë dhe arkitekturës së shek të XVlll-të, tanimë e restauruar me të gjithë kujdesin e nevojshëm dhe e kthyer në një objekt tërheqës turistik”, u shpreh Rama.

E ndërtuar në vitin 1768, Ura e Mesit është një nga perlat e arkitekturës dhe trashëgimisë sonë kulturore, që pret çdo ditë qindra vizitorë.

Duke qenë një monument me vlera të mëdha arkitektonike e teknike, Ura e Mesit është një objekt që tërheq vizitorë të shumtë.

Me gjatësi 108 metra, gjerësi 3.40 metra dhe me 13 harqe josimetrike, për ndërtimin e saj janë përdorur gurë të latuar, ndërsa traseja është bërë me pllaka guri. Vlerat e kësaj ure shtohen dhe nga terreni piktoresk pranë saj me shkëmbinj dhe ujin e pastër./ata