Misioni i NATO-s në Kosovë (KFOR) ka monitoruar protestën paqësore të serbëve lokal në Mitrovicën Veriore, pranë urës kryesore mbi lumin Ibër.
KFOR-i njofton se trupat e këtij misioni ishin në terren dhe kryen patrulla në zonat përreth vendit të protestës për të siguruar një mjedis të sigurt, derisa shton se “protesta vazhdoi pa ndonjë ndërprerje të raportuar apo shqetësime sigurie”.
Lidhur me protestën në Mitrovicën Veriore, e cila u mbajt nga rreth 600 protestues për të kundërshtuar hapjen e urës mbi lumin Ibër për automjete, reagoi edhe kryeministri Albin Kurti.
Kurti falënderoi institucionet e sigurisë që garantuan mbarëvajtjen e qetë të protestës, derisa tha se protestat janë e drejtë demokratike të cilën e gëzojnë dhe mund ta ushtrojnë të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës pa dallim.
Tutje, ai tha se nesër nga ora 11 Komuna e Mitrovicës së Veriut, në hapësirat e Kuvendit Komunal, organizon takim dhe bashkëbisedim me qytetarë, aktivistë të shoqërisë civile dhe përfaqësues të mediave lokale me temën “Bashkëpunimi ndëretnik, këshillim komunal për siguri në bashkësi, bashkëpunimi në mes të institucioneve dhe shoqërisë civile”.
“I ftoj bashkëqytetarët tanë të komunitetit serb që të marrin pjesë në këtë diskutim të përbashkët në të cilin do të mund të njoftohen mbi përfitimet nga hapja e urës dhe të shprehin shqetësimet e tyre të cilat do të trajtohen nga përfaqësuesit tanë institucionalë dhe institucionet e vendit. Për shumë gjatë Ura e Mitrovicës mbi Ibër na ka mbajtur në distancë. Asaj padrejtësisht i është dhënë epiteti i ndasisë dhe marrëdhënieve jonormale. Urat na bashkojnë, e bashkë le ta bëjmë atë simbol të normalizimit”, shkroi Kurti.
Qeveria e Kosovës po kërkon ta hapë urën kryesorë mbi lumin Ibër, megjithëse vendet e QUINT-it më 2 gusht deklaruan se nuk e mbështesin hapjen për trafikun në këtë moment.
Ura kryesore mbi lumin Ibër që nga viti 1999 e ndanë qytetin e Mitrovicës në pjesën jugore të banuar me shumicë shqiptare dhe në pjesën veriore të banuar me shumicë serbe.
Aktualisht aty mund të kalojnë vetëm këmbësorët, ndërsa ura ruhet nga KFOR-i Italian./aa