Intelektuali i njohur kosovar Milazim Krasniqi, i ka sjellë në kujtesë publikut atë që është prapaskena e një kinse fushatë konvertuese në Kosovës si “kthim në fenë e të parëve”, nga e ashtuquajtura “grupi i Deçanit”.

Për Krasniqin, e gjitha kjo shkon në funksion si të qasjeve e si të synimeve serbe në Ballkan.

Ja ç’shkruan Milazim Krasniqi:

Për synimet e errëta të një hakmarrjeje të re kundër muslimanëve në Ballkan, sidomos në Kosovë, qarqet serbe dhe qarqe të caktuara islamofobike evropiane kanë rekrutuar edhe ndoca eksponentë vendor, të cilët zhvillojnë luftë speciale psikologjike kundër shqiptarëve muslimanë pikërisht në Kosovë. Motoja e kësaj lufte speciale është se gjoja kalimi në Islam ka qenë devijim nga shqiptarizmi, prandaj muslimanët nuk janë shqiptarë, janë turko-arab.

Çuditërisht në këtë pikë teza e tyre është e njëjtë me atë të krimineles serbe së luftës, Bilana Plavshiqit, e cila për muslimanët e Bosnjes thoshte se “bëhet fjalë për një material gjenetikisht të dëmtuar serb, që kishte kaluar në Islam.” Ka vite që kjo tezë bio-raciste e Bilana Pllavshiqit është adoptuar për përdorim edhe këtu në Kosovë, kundër shqiptarëve të besimit islam. Bile sa më shumë që po konsolidohet agresiviteti serb kundër Kosovës, aq më shumë po shtohet edhe kjo lloj lufte speciale e eksponentëve isamofob lokalë.

Nuk ka asnjë dilemë që Serbia definitivisht i është rikthyer politikës së kryqëzatës ortodokse në drejtim të Kosovës, sipas modelit që pati zbatuar më shumë në Bosnje. Në Kosovë në vitet nëntëdhjetë nuk pati sukses ta zbatonte, sepse ajo doktrinë iu kompromentua tërësisht në Bosnje. Në këtë kontekst, edhe roli aktiv i katolikëve shqiptarë, si pjesë integrale e lëvizjes për pavarësi e çlirim në Kosovë, që nga pajtimet e gjaqeve, organizatat humanitare, lëvizja politike e deri te pjesëmarrja në UÇK, ua pati djegë në dorë letrat fundamentalistëve ortodoks serbë dhe shërbëtorëve të tyre.

Por Serbia po tenton t’i rikthehet atij projekti, e bindur se shqiptarët në realitetet e reja, të provokuar vazhdimisht, ka mundësi ta humbin orientimin strategjik. Kjo shihet qartë jo vetëm në deklarimet e hierarkëve ortodoks serbë dhe politikanëve serbë. Absurde është që kjo shihet edhe në nisma vendore absurde të frymës së Rekonkuistës, të emërtuar si gjoja iniciativë për braktisjen e fesë islame. Në esencë hapja e kësaj teme synon të shërbejë si provokim për ta shndërruar reagimin e shumicës në një “provë të ekstremizmit islamik.” Ndërsa atë reagim pastaj Serbia ta shfrytëzojë si “corpus delicti” për ta rimarrë sërish kujdestarinë për disiplinimin e muslimanëve të Ballkanit, me theks te shqiptarët e Kosovës, meqë ata jetojnë në tokën të cilën serbët e kanë shpallur “tokë e shenjtë serbe” dhe “Jerusalem serb.” Por ne shqiptarët e Kosovës nuk kemi asnjë arsye ta humbin orientimin atlantik.

(Fragment nga teksti “Srebrebica është maja e ajsbergut e gjenocidit serb kundër muslimanëve të Ballkanit.)/TeSheshi