Vijon përplasja diplomatike mes Presidencës së Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut lidhur me incidentin e ndodhur më 1 gusht në aeroportin e Shkupit ku presidentes Vjosa Osmani është tentuar t’i merret telefoni personal nga një pjesëtar i sigurimit të Aeroportit të Shkupit (TAV).

Ekipi i inspektorëve të Agjencisë së Aviacionit Civil (AAC), i udhëhequr nga drejtori Dragi Stojanoski, ka rishikuar provat dhe ka bërë një kontroll të jashtëzakonshëm në TAV Maqedoni, lidhur me incidentin në të cilën ishte përfshirë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Në raportin e Agjencisë së Aviacionit Civil (AAC) të Maqedonisë së Veriut thuhet se shërbimet në Aeroportin e Shkupit, përgjegjëse për kontrollet e sigurisë, kanë vepruar në mënyrë profesionale.

AAC njofton se gjatë inspektimit fillestar është konstatuar se shërbimet e aeroportit përgjegjës për kontrollet e sigurisë, në përputhje me përgjegjësitë e tyre të punës, kanë vepruar në mënyrë profesionale dhe kanë respektuar rregullat e vendosura sipas rregulloreve ndërkombëtare të zbatuara, duke mos lejuar anashkalimin e standardeve dhe procedura edhe nën presionin e personave që shoqëronin pasagjerin.

“Refuzimi për të kryer kontrollet standarde të sigurisë me të njëjtët pasagjerë, sipas të dhënave, ka ndodhur edhe në vitin 2022 dhe 2023 kur kontrollet e sigurisë pranohen vetëm pasi piloti i avionit ka refuzuar të pranojë pasagjerë në avion pa u kryer një kontroll sigurie. Nëse zyrtarët në TAV Maqedoni do të vepronin ndryshe nga rregullat e përcaktuara dhe do të lejonin lëshime dhe shmangie të procedurave të parapara, do të përballeshin me sanksione serioze nga Agjencia e Aviacionit Civil si organ përgjegjës për rregullimin e tyre”, theksojnë nga AAC për Telegrafin.

Meqenëse këto janë standarde ndërkombëtare të pranuara përgjithësisht, nëse dikush dyshon në besueshmërinë e tyre, ata rekomandojnë të aplikojnë të njëjtën praktikë në një nga aeroportet ndërkombëtare evropiane, në mënyrë që të jenë të sigurt për zbatimin e tyre.

Ndërkohë presidenca e Kosovës thotë se janë shkelur rregullat ndërkombëare dhe se nuk ka asgjë profesionale në sjelljen e sigurimit.

Gjithashtu ka njoftuar se presidentja Osmani nuk është kthyer nëpërmjet Aeroportit të Shkupit pas incidentit, për shkak se aeroporti nuk ka kushte bazike të sigurisë. 

“ RMV ka shkelur rregullat ndërkombëtare që aplikohen çdokund në botë duke kërkuar skanimin e telefonit të Presidentes së një shteti tjetër, gjë që do të paraqiste potencial për cenim të sigurisë kombëtare. Presidentja nuk është kthyer në Kosovë nëpërmjet Aeroportit të Shkupit, pra ka ndryshuar itinerarin e udhëtimit, sepse ekipi i saj i sigurisë ka vlerësuar se pas propagandës marramendëse nuk ekzistojnë as kushtet bazike të sigurisë për një gjë të tillë”, thuhet në reagim./Shqiptarja