Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se duhen hapa të shpejtë dhe zgjidhje radikale për të përmbyllur procesin e legalizimit të pronave në vend.

 

Gjatë takimit për prezantimin e drejtores së re të Kadastrës, Dallëndyshe Bici, Rama theksoi nevojën e pëshpejtimit të proceseve teknologjike.

 

“Kemi një bazë nga e cila mund të shkojmë me shpejtësi më tutje që është teknologjia dhe proceset teknologjike të nisura edhe në ASHK, duke ofruar shërbimin pa radhë dhe që qytetarët të kërkojnë shërbimin nga Kadastra online”, tha Rama.

 

Por ndërkohë, vuri në dukje Rama se, jemi në kushtet kur cikli mbetet i hapur, sepse pjesa e përgjigjeve jepet ende me letër dhe kërkojnë ende postën, që praktikisht janë pjesë e problemit dhe jo zgjidhje përfundimtare.

 

“Në këtë fazë, na duhen hapa të shpejtë dhe zgjidhje radikale për të mbyllur procesin, që do të thotë është koha për të mbyllur përfundimisht rrugët e kontakteve të drejtpërdrejta mes qytetarëve dhe Kadastrës. Kadastra është banka e pasurive të paluajtshme dhe kërkon që të sillet si e tillë dhe të funksionojë si e tillë në të gjitha aspektet. Kështu që është e domosdoshme mbyllja përfundimtare e kontakteve dhe ndryshimi i skemës së organizimit”, deklaroi Kryeministri.

 

Rama theksoi se, Kadastra nuk do të funksionojë më me zona, çifliqe dhe sfera influence.

 

“Duhen eleminuar zonat dhe Kadastra nuk do të funksionojë më me zona, çifliqe dhe sfera influence. Kadastra dhe i gjithë personeli duhet të hyjë prapa ekranit dhe prapa ekranit të zhvillojë veprimtarinë e vet. Do të duhet bashkëpunimi mes ASHK dhe AKSHI-t, në mënyrë që procesi të marrë një tjetër vrull dhe të hyjë në një tjetër faze”, deklaroi Rama.