Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) vazhdon të ofrojë mbështetje për sektorë të ndryshëm në Shqipëri, ndërkohë një nga projektet e fundit është në lidhje me trajnimin e dhjetëra të rinjve mbi bletarinë në Korçë.

Në aktivitetin e ndarjes së certifikatave për të trajnuarit organizuar në ambientet e Galerisë së Arteve Digjitale Korçë ishin të pranishëm ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural e Shqipërisë, Anila Denaj, ambasadori turk në Tiranë, Tayyar Kağan Atay, koordinatori i TIKA-s në Tiranë, Mustafa Ata dhe drejtues të institucioneve të ndryshme vendore të Korçës.

Gjatë fjalës në aktivitet, ministrja Denaj u shpreh se Türkiye është gjendur pranë Shqipërisë në shumë momente dhe sfida.

Duke iu referuar projektit të TIKA-s, ajo tha se projekti hap një derë shumë të madhe, sepse sipas saj janë një numër i konsiderueshëm të rinjsh të cilët kanë arritur të futen në një biznes si bletaria. "Të rinjtë që i janë bashkuar këtij projekti jam e bindur që do të kenë një të ardhme ekonomike në biznesin e tyre të ndritur", tha Denaj.

Në fjalën e tij në aktivitet, ambasadori Atay u shpreh se do të jenë gjithmonë në Shqipëri për të ofruar mbështetje. "Duke qenë se çështja e ruajtjes së fuqisë punëtore të kualifikuar në Shqipëri është një çështje kritike për të ardhmen e vendit, bëhet evidente rëndësia e çdo pike djerse dhe mundit të shpenzuar në projekte që i drejton të rinjtë drejt bujqësisë, siç ishte dhe ky projekt", tha Atay.

Sipas TIKA-s, projekti i cili ka zgjatur dy muaj është realizuar në bashkëpunim me Këshillin e Qarkut Korçë, ku janë trajnuar mbi bletarinë rreth 30 të rinj të papunë dhe që nuk janë marrë më parë me bletari.

Të rinjve të trajnuar iu janë dhuruar edhe nga 5 koshere bashkë me bletë dhe pajisje bletarie. Gjithashtu nga TIKA janë dhuruar edhe 35 koshere me bletë për Shkollën Profesionale të Shërbimeve në Korçë.

Ambasadori Atay: Nuk do të lejojmë që FETO të helmojë marrëdhëniet Türkiye-Shqipëri

Në një deklaratë për mediat pas aktivitetit, ambasadori Atay foli në lidhje me marrëdhëniet mes dy vendeve, bisedën e fundit telefonike mes presidentit të Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan dhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, organizatën terroriste FETO dhe mbi me projektin e TIKA-s.

Ai tha se Türkiye dhe Shqipëria janë dy shtete që kanë rrënjë të forta miqësore ndër shekuj dhe shtoi se nuk mbështesin Shqipërinë vetëm në fushën e bujqësisë, por në të gjitha fushat.

"Dje është bërë një bisedë telefonike midis dy liderëve. Siç e dini ka marrëdhënie të afërta midis dy liderëve, një dialog të vazhdueshëm dhe takohen shpesh. Kjo bisedë telefonike ka qenë në kuadër të bisedimeve të tyre që janë të vazhdueshme. Është biseduar për fusha të shumta, është folur edhe për marrëdhëniet ndërkombëtare", tha Atay.

Ai shtoi se në bisedë është prekur përsëri pjesa e kërkesës së vazhdueshme të bërë edhe publike nga ana e presidentit Erdoğan për pastrimin e organizatës terroriste FETO në Shqipëri, sipas ambasadorit turk, sidomos në fushën e arsimit, shëndetësisë dhe fesë.

"Çështja e pastrimit të FETO-s nga Shqipëria nuk është vetëm çështje e Türkiyes, ajo është çështje edhe e shtetit shqiptar dhe është kërcënim edhe për vëllezërit tanë shqiptarë. Ky pastrim nuk duhet bërë vetëm për Türkiyen, duhet të bëhet për një të ardhme më të sigurt edhe për vendin tuaj (Shqipërinë). Do të marrim rezultate lidhur me këtë, ka dhe do të ketë zhvillime pozitive lidhur me këtë. Dua të theksoj që prania e organizatës FETO në Shqipëri assesi nuk do të jetë pengesë për thellimin dhe zhvillimin e marrëdhënieve tona. Nuk do t’i lejomë të helmojnë marrëdhënien midis dy shteteve", tha ambasadori turk.

Ai shtoi se Shqipëria ka blerë nga Türkiye dronë Bayraktar dhe theksoi se Türkiye është goxha e zhvilluar në fushën e mbrojtjes./aa