Ndonëse në Shqipëri pushohet lirë për të huajt, për vendasit “bumi” turistik u bë i papërballushëm me rritjen e çmimeve të strukturave akomoduese, shezlongët e deri në baret e restorantet. Kjo rritje u prit me injdinjatë nga pushuesit vendas, pasi çmimet nuk justifikonin shërbimin, cilësinë etj.

Por, aktualisht në pikun e sezonit, si po variojnë çmimet e strukturave akomoduese?

Scan TV ka kryer një vëzhgim në platformën Booking.com ku listohen strukturat akomoduese baret dhe restorantet. Në vëzhgimin e realizuar vihet re që çmimet kanë një tendencë ulje në Sarandë e Ksamil.

Për ta konkretizuar, në një strukturë akomoduese në Sarandë, për dy dhe tre persona aktualisht paraqitet me ulje 20%, për shembull nga 8.800 lekë dhe 11.300 lekë çmimet kanë arritur përkatësisht në 7.000 lekë dhe 9.000 lekë. Gjithashtu, edhe në apartamente të tjera ku më parë mund të paguaje 12.000 lekë për një natë, tashmë e paguan me ulje deri në 30%.

Edhe Ksamili po ndjek të njëjtën praktikë përsa i përket uljes së çmimeve. Nëse më parë në një strukturë akomoduese 30 metër katror do të paguaje rreth 15 mijë lekë, tashmë ka arritur ulje në 40% dhe e rezervon me çmimin rreth 9.000 lekë.

Por ndryshe nga Saranda e Ksamili, Himara nuk po praktikon ulje çmimesh. Nga vëzhgimi i realizuar në Booking, çmimet e listuara variojnë nga 5.000 lekë deri në 13 mijë lekë për një natë.

Por, sa i vlerësojnë turistët këto struktura akomoduese?

Në shtetet e tjera të cilët kanë në fokus turizmin, vlerësimet e turistëve i kanë të rëndësishme pasi është një reagim, i cili ndikon zinxhir në turistët e rinj. Kjo praktikë po fillon të implementohet konsiderueshëm dhe në Shqipëri. Po në të njëjtën platformë, kryesisht strukturat akomoduese kanë një vlerësim nga 8 deri në 9,8./Tema