Opozita ankimoi vendimin e KQZ duke kërkuar shpalljen të pavlefshme të zgjedhjeve në 36 qendrat e votimit në Himarë. Në ankimimin e koalicionit “Bashkë Fitojmë” depozituar në KQZ shprehet kundërshtimi ndaj tabelës së rezultateve në zgjedhjet e pjesshme lokale për kryebashkiakun e Himarës zhvilluar më 4 gusht dhe rregullimin e pasojave duke shpallur pavlefshmërinë e zgjedhjeve.
Në kërkesën ankimore të publikuar nga KQZ, koalicioni ‘Bashkë Fitojmë” ankimon rezultatin brenda periudhës 5-ditore të caktuar me ligj, pas shpalljes së rezultatit me fitues kandidatin e Partisë Socialiste Vangjel Tavo në këtë bashki, rezultat i shpallur nga KQZ në datën 5 gusht.
Koalicioni “Bashkë Fitojmë” pretendon në ankimim se ka ka ardhur në dijeni të fakteve, indicjeve dhe ka siguruar prova të mjaftueshme lidhur me problematika dhe parregullësi të rënda të procesit zgjedhor të ndodhura në të gjitha qendrat e votimit të bashkisë Himarë.
Argumenti kryesor i paraqitur nga opozita është se në zgjedhje nuk u lejuan të votojnë persona me kartë identiteti të skaduar që sipas ankimimit janë mbi 6 mijë qytetarë ndërkohë që në zgjedhje votuan rreth 8500 zgjedhës.
Sipas opozitës, në kushtet kur problemi i votuesve me dokument të skaduar identifikimi ishte i njohur për KQZ dhe qeverinë, mosmarrja e masave të duhura nga këto institucione cenon të drejtën kushtetuese për të zgjedhur dhe shkel parimet themelore të barazisë para ligjit.
Sipas opozitës, në raste të tjera të ngjashme votimi i zgjedhësve me dokumente identifikimi të skaduara është bërë me akt normativ, nuk u mor asnjë masë në zgjedhjet e 4 gushtit në Himarë.
Opozita rendit dhe argumente të përdorimit të presionit politik ndaj zgjedhësve si dhe përdorimin e zgjidhjes së problemeve të pronësisë duke kryer fushatë të parakohshme.
Po ashtu, renditen problematika me afishimin e listës së zgjedhësve apo përdorimin e patronazhistëve./ata