Zëvendës-Presidentja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho denoncoi heshtjen e Ministrisë së Arsimit lidhur me atë që ajo e cilëson si skandalin më të madh të mashtrimit të mijërave nxënësve dhe studentëve, përmes një projekti fantazmë për bursat në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

DEKLARATA E XHIXHOS

Të nderuar qytetarë, prindër, nxënës e mësues, Ministria e Arsimit po përpiqet ta kalojë pa dhënë llogari për skandalin e madh të mashtrimit të mijëra nxënësve, përmes një projekti fantazmë për bursat në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. « Let’s talk about US 2024” është një projekt i ngritur me urdhër të drejtuesve të Ministrisë së Arsimit, e cila presupozohej të realizonte ëndrrën e maturantëve për të studiuar jashtë vendit.

Është fatkeqësi dhe papërgjegjshmëri, që zyrtarët që paguhen me taksat e shqiptarëve për mirëfunksionimin e sistemit arsimor, dhe edukimin e fëmijëve të tyre zgjodhën të luajnë me ëndrrat e tyre.

 

Skandali « Klea Rama është prova e radhës që tregon se sa e rëndë është gjendja e funksionimit të sistemit arsimor në Shqipëri. Ky skandal tregon mungesën totale të përgjegjshmërisë nga Ministria dhe zv. Ministria e Arsimit, që kanë urdhëruar gjithe zbatimin e këtij projekti pa asnjë verifikim paraprak, duke qenë bashkëfajtore në këtë skemë mashtrimi.

Nën mbikëqyrjen e Ministrisë së Arsimit, ky projekt u shtri në 68 gjimnaze të vendit, dhe  ka angazhuar qindra mësues e koordinatorë brenda dhe jashtë orarit mësimor, duke treguar edhe njëherë se sa e lehtë është të vësh në rresht çdo punonjës të administratës shtetërore, duke përdorur mbiemrin e kryeministrit Rama.

Mjafton të përmendet emri Rama dhe një ministri e tërë vihet në lëvizje nga drejtuesit më të lartë e deri te mësuesi më i thjeshtë, në çfarëdo momenti të ditës. Ngrihen komisione, jepen certifikata dhe hartohen raporte, të gjitha me firmat dhe vulat e ministrisë.

Skandali që po përpiqen ta kufizojnë te emri Klea Rama është në shkelje të hapur të urdhrit të MAS nr. 634, datë 25.10.2022, ‘Për ngritjen e grupit të punës për shqyrtimin dhe vlerësimin e projekteve të organizatave/shoqatave joqeveritare, dhe individëve që kërkojnë bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit në fushën e arsimit parauniversitar’. Gjë që nuk ka ndodhur me skemën e mashtrimit të Klea Ramës.

Vetë Ministria e Arsimit në fakt, ka dhënë urdhër për zbatimin e kësaj skeme mashtrimi, pa asnjë verifikim paraprak,  duke u kthyer në bashkëdrejtuese të saj, dhe kjo nuk mund të fshihet me asnjë heshtje.

Qindra mësues kanë punuar me qindra orë në një vit pa u paguar, pasi janë urdhëruar nga Ministria ta bëjnë këtë punë, mijëra të rinj nga ana tjetër janë zhgënjyer, pasi i kanë besuar këtij projekti, duke e parë si një mundësi reale për të ardhmen e tyre.

Ministria e Arsimit, e cila nuk mban përgjegjësi për dështimin ku e ka zhytur arsimin, nuk ka ende asnjë përgjigje për nxënësit, për prindërit, për mësuesit, që edhe pse u angazhuan me detyrim në këtë projekt, tani janë nën presion për të heshtur, sepse kërcënohen me vendin e punës.

E vërteta është se sot arsimi është në ditët  e tij më të zeza, i nënfinacuar me buxhetin më të ulët në rajon me vetëm 2,29% të PBB-së, ndërkohë që premtimi i kësaj qeverisë dhe standardi i BE-së është 5%. 

Gjithashtu sipas EUROSTAT., shpenzimet buxhetore të qeverisë për kërkimin shkencor janë vetëm 3.6 euro për frymë, ose 72 herë më pak se mesatarja e vendeve të BE-së dhe 10 herë më pak se Serbia.

Strategjia e mosdhënies llogari për dështimet e njëpasnjëshme është kthyer në normë të qeverisë së inceneratorëve, dhe të Ministrisë së Arsimit, e cila nuk ka përgjigje për testin PISA që i renditën nxënësit shqiptarë në vendin e 68 nga 80 vende të marra në studim, rezultate që çertifikuan analfabetizmin funksional të nxënësve tanë.

Nuk ka përgjigje as për mijëra maturantë që largohen nga vendi çdo vit, apo për emërimin e shpërndarëve të drogës si drejtorë shkolle. 

Kjo situatë ka përgjegjës direkte Kryeministrin Rama dhe Ministren e Arsimit, Ogerta Manastirliu.

Në një vend normal, Ministrja e Arsimit duhet të kishte dhënë dorëheqjen me kohë, për gjithë dështimin e politikave arsimore që kulmuan me testet PISA.,  dhe tani me këtë skemë mashtrimi ku del qartë paaftësi totale në drejtim të këtij sektori jetik për të sotmen, dhe të ardhmen e vendit.

Banka Botërore në raportin e fundit për vitin 2024, rekomandon se dy janë mënyrat për të rritur mirëqenien e shqiptarëve:  investimi në teknologji dhe investimi në arsim dhe në kapital njerëzor.

Ky raport konfirmon edhe një herë atë që Partia e Lirisë e ka bindje prej kohësh: vetëm duke e bërë arsimin prioritet kombëtar mund të kemi zhvillim të vendit.

Investimi në kapitalin njerëzor dhe ringritja e arsimit, janë dy prej prioriteteve tona madhore. Ne do t’u japim të rinjve shqiptarë arsimin që meritojnë!/ OraNews