Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj ndau sot në rrjetet sociale shembullin e Shkollës Profesionale “Shërbime” në Korçë me drejtimet në bujqësi dhe veterinari.

“Kjo shkollë u mundëson të rinjve nga Korça, Maliqi, Devolli, Pogradeci, Erseka dhe qytete të tjera të fitojnë njohuri teorike dhe aftësi praktike duke ndikuar në zhvillimin e mëtejshëm të kulturave bujqësore dhe blegtorisë që mbarështohet në këto zona”, tha Denaj.

Markel Shukulli, është një ndër të rinjtë që ka zgjedhur drejtimin e veterinarisë, njohuritë e së cilës po i aplikon në biznesin e familjes.

“Para dy vitesh kam studiuar mjekësi veterinare, tani studioj ne universitetin bujqësor te Tiranës. Njohuritë e kësaj shkollë më kanë ndihmuar shumë për biznesin tim familjar. Ftoj nxënësit e klasave të 9 të frekuentojnë këtë shkollë sepse do t’u shërbejë për punësim”, shprehet Shukullu.

Shkolla Profesionale Shërbime ofron edhe drejtimet Hoteleri-Turizëm, Ekonomi-Biznes, dhe Dizajn-Modë. Për t’u regjistruar në shkollë maturantët të aplikojnë në shërbimin “Regjistrohu në klasën e dhjetë” deri më 30 shtator./ata