Federata Shqiptare e Mundjes (FSHM) ka shprehur zhgënjim të thellë për arbitrazhin në Lojërat Olimpike “Paris 2024”. Sipas FSHM-së, Chermen Valiev, i cili sot do të garojë për medaljen e bronztë, u eliminua padrejtësisht në çerekfinale një ditë më parë.

Federata thekson se gjatë ndeshjes çerekfinale, Valiev humbi me rezultatin 6-5 kundër mundësi nga Uzbekistani, Jamalov Razambek. Sipas FSHM-së, ndeshja ishte e dominuar plotësisht nga Valiev, i cili meritonte fitoren, por një padrejtësi e madhe i mohoi këtë triumf.

“Lojërat Olimpike ‘Paris 2024’ do të mbahen mend si një moment historik për mundjen shqiptare, me tre sportistë pjesëmarrës dhe me performancën e shkëlqyer të Chermen Valiev. Megjithatë, zhgënjimi është i madh, sepse një vendim i padrejtë i gjyqtarëve vodhi finalen nga sportisti ynë dhe ëndrrën për një medalje historike,” deklaroi FSHM.

Federata e përshkroi këtë situatë si një akt diskriminimi dhe e denoncoi atë si një “vjedhje” që lë shumë për të dëshiruar në një event sportiv kaq të rëndësishëm./ata