Koalicioni opozitar “Bashkë Fitojmë” kërkoi shpalljen të pavlefshme të zgjedhjeve të pjesshme të 4 gushtit për bashkinë e Himarës, sipas tij, “për shkak të parregullsive të rënda në procesin zgjedhor në të gjithë 36 qendrat e votimit”.
Koalicioni dorëzoi të premten në mbrëmje pranë Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve KAS në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve një kërkesë ankimore ku kundërshton vendimin, ku shpallet fitues kandidati i Partisë Socialiste Vangjel Tavo me 5022 vota (58.6%), përballë kandidatit opozitar Petro Gjikuria, i cili mori 3545 vota (41.4%).
“Zgjedhjet u mbajtën në një klimë politike të ngarkuar, ndërkohë që opozita akuzoi shumicën qeverisëse për pengim të votuesve, përdorim të administratës në zgjedhje dhe përfshirjen e gjysmës së ministrave në fushatë, frikësim të votuesve, bizneseve”, theksohet në kërkesën ankimore të opozitës.
Në dokument veçohet si “problem madhor” pamundësimi i votimit të mbi 6 mijë votuesve për shkak të skadimit të dokumenteve identifikuese, kundrejt pjesëmarrjes faktike prej rreth 8500 zgjedhësve, nga rreth 23 mijë persona, që figurojnë në listën zgjedhore të Himarës, e cila, sipas saj, “nuk u publikua në të gjitha qendrat e votimit”, dhe ku “u shtuan zgjedhës nga Tirana dhe nga Vlora, duke ndryshuar vendbanimin”.
Asnjë nga partitë garuese nuk e kishte ngritur si shqetësim para votimit në Himarë çështjen e ID-ve të skaduara, ndërsa kandidati socialist Tavo deklaroi më pas se kartat e skaduara të identifikimit kanë prekur njëlloj të dyja palët, pra edhe votuesit e tij.
Opozita thotë se Partia Socialiste përdori privilegjet dhe burimet shtetërore gjatë fushatës, duke emëruar 4 muaj para zgjedhjeve vendore kandidatin Tavo si prefekt në Qarkun e Vlorës, i cili përfshin edhe bashkinë Himarë, sipas saj, “në konflikt interesi dhe në shkelje të Kodit Zgjedhor”.
Ndërsa për socialistët zgjedhjet e 4 gushtit në Himarë ishin të qeta dhe të rregullta. Kryeministri Edi Rama e cilësoi në një mesazh publik si “spektakolare fitoren e kryebashkiakut të ri të Himarës” dhe “domethënëse mbështetjen për Partinë Socialiste”.
Zgjedhjet për bashkinë e Himarës erdhën pasi kryetari i zgjedhur Fredi Beleri u arrestua një ditë para votimeve të 14 majit të vitit të kaluar, nuk arriti ta merrte mandatin, dhe u dënua nga gjykatat shqiptare me dy vjet burgim për korrupsion aktiv në zgjedhje./VOA