Shqipëria është vendi me incidencën më të ulët të kancerit të prostatës në Europë. Kjo sëmundje është statistikisht kanceri më i shpeshtë te meshkujt mbi 50 vjeç dhe mundësia për tu prekur rritet me moshën.

Sipas të dhënave të fundit në vendin tonë incidenca e kancerit të prostatës , është 131,1 raste për 100 mijë burra të moshës 55-85 vjeç, në një kohë që mesatarja europiane është 469,7 raste për 100 mijë burra.

Në Evropë, kanceri i prostatës përbën pothuajse një të katërtën e rasteve të reja të kancerit ndër burrat, dhe ishte shkaku i mbi 70,000 vdekjeve.

Shqipëria, ndonëse me nivele më të ulëta se vendet e tjera evropiane, nuk është e përjashtuar nga kjo tendencë. Sipas të dhënave të nga observatori i kancerit , në vitin 2020 në vendin tonë u regjistruan 257 raste të reja të kancerit të prostatës dhe 128 vdekje.

Një studim i fundit publikuar në “British Medical Journal” tregon se mbidiagnostikimi i kancerit të prostatës në Evropë ka ndikuar ndjeshëm në variacionin e incidencës së sëmundjes midis vendeve, duke rritur rastet e diagnostikimeve të panevojshme. Ndërsa normat e incidencës së kancerit të prostatës mund të ndryshojnë deri në 20 herë midis vendeve, normat e vdekshmërisë ndryshojnë vetëm pesë herë, duke treguar një kontrast të madh.

Shkalla e lartë e mbi diagnostikimit lidhet me përdorimin e testit të antigjenit specifik të prostatës që shpesh zbulon tumore që nuk përparojnë dhe nuk kërcënojnë jetën e individit. Ekspertët vërejnë se kjo çon në trajtime të panevojshme dhe pasoja negative për cilësinë e jetës së burrave./Tema