Më 11 gusht 1997 përfundonte një nga misionet më të mëdha të zhvilluara nga forcat e ndryshme ushtarake në Shqipëri, i cili njihet me emrin “Operacioni Alba”.

Operacioni Alba ishte një forcë paqeruajtëse shumëkombëshe e dërguar në Shqipëri në vitin 1997. I udhëhequr nga Italia, operacioni synonte të ndihmonte qeverinë shqiptare të rivendoste ligjin dhe rendin gjatë rebelimit të vitit 1997.

Të gjendur pas klimës së pasigurisë me ngjarjet e ndodhura gjatë atij viti, qeveria shqiptare e pa të udhës të kërkonte ndihmën e një force shumëkombëshe për të kryer operacione humanitare në vend.

Kërkesa iu drejtua OKB-së më 27 mars 1997 nga pala shqiptare dhe Këshilli i Sigurimit e miratoi atë, duke i hapur udhë një kontingjenti prej 3000 ushtarësh nga Franca, Turqia, Greqia, Spanja, Rumania, Austria dhe Danimarka.

Shteti koordinues i kësaj trupe do të ishte Italia, e cila u përzgjodh të drejtonte këtë mision. Bazat operacionale të trupave ishin në Tiranë, Durrës, Vlorë dhe Fier.

Gjatë këtij operacioni janë zhvilluar rreth 1700 operacione, ku mendohet se në dobi të popullatës janë shpërndarë rreth 5700 tonë ndihma në ushqime, ilaçe, veshje etj.

Trupa ushtarake gjatë gjithë kohës monitorohej nga programi i OSBE-së./ata