Shqipëria do të ketë një kompani shtetërore, e cila do të quhet “KAYO” sh.a, që do të jetë përgjegjëse për prodhimin, demilitarizimin dhe tregtimin e armëve, të  municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake .

Ligji i botuar në Fletoren Zyrtare dhe që hyn në fuqi në fund të këtij muaji, përcakton se përgjatë zhvillimit të veprimtarisë së saj,  Shoqëria ndjek gjithashtu interesa ekonomikë dhe tregtarë që lidhen me industrinë ushtarake.

Referuar ligjit, sa i takon detyrave dhe përgjegjësive, përcaktohet se shoqëria zhvillon me eficiencë aktivitetin e saj, duke kontribuuar në ngritjen, zhvillimin dhe forcimin e industrisë së prodhimit e të tregtimit të armëve, me qëllim sigurimin e nevojave të Forcave të Armatosura dhe ato të sigurisë në Republikën e Shqipërisë, si dhe të realizimit të fitimit ekonomik.

Prodhon dhe furnizon me pajisje të nevojshme  Forcat e Armatosura dhe strukturat e tjera përgjegjëse të sigurisë për të garantuar mbrojtjen dhe  sigurinë e interesave kombëtarë. Ndërton, zhvillon dhe përmirëson kapacitetet  vendase për të prodhuar e furnizuar Forcat e Armatosura dhe strukturat e tjera përgjegjëse të sigurisë me pajisje të nevojshme për operacionet e tyre.

Mobilizon kapital shtetëror dhe/ose privat në funksion të zhvillimit të aktivitetit të saj. Nxit investimet në teknologji dhe inovacion për prodhimin, përdorimin, tregtimin e armëve brenda dhe jashtë vendit. Bashkëpunon me subjekte të ndryshme  shtetërore e private, kombëtare dhe ndërkombëtare, për zhvillimin e objektit të veprimtarisë së saj. Financon ose bashkëfinancon projekte në fushën e mbrojtjes e të sigurisë kombëtare ose shoqëri të themeluara në bashkëpunim me subjekte private dhe/ose publike të ngritura për realizimin e tyre.

Po ashtu, shoqëria ka si detyrë përgatitjen e një plani të detajuar biznesi në  raport me politikat shtetërore të sigurisë dhe të mbrojtjes me politikat ndërkombëtare, të zbatueshme për prodhimin e tregtimin e armëve.

Përmes krijimit të një shoqërie shtetërore synohet shfrytëzimi i kapaciteteve industriale të trashëguara, sikurse edhe integrimi në proceset e punës edhe i teknologjive të reja  dhe inovacioneve

Nga ana tjetër ndërmerret hapi i parë drejt rivitalizimit të industrisë ushtarake. Në këtë mënyrë, Shqipëria forcon pozicionin e saj strategjik në rajon, duke u bërë një aktor më i rëndësishëm në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, e përqasur me objektivat e Aleancës së Atlantikut të Veriut./Tema