Në rubrikën Çështja e Ditës të gazetarit Klevin Muka në News24, analisti Agim Baçi komentoi drejtuesit politikë në qarqe të caktuar nga PD dhe PS.
Lidhur me përballjen në Fier mes Gazment Bardhit dhe Belinda Këlliçit, Baçi tha se ky qark do të prodhojë betejën më të madhe politike. “Fieri ka një peshë të madhe politike. Balluku ka lëvizur nga Dibra, ku ishte humbëse përballë Xhelal Mziut, në Fier. Balluku ka qenë në qendër të akuzave dhe skandaleve, një nga njerëzit më të afërt të saj është nën hetim nga SPAK. Balluku ka përgjegjësi t’i shpjegojë publikut se çfarë ndodh me drejtorët e saj që janë emëruar prej saj dhe janë nën hetim nga SPAK. Në anën tjetër Bardhi mund të japë llogari politike për rezultatin”, tha Baçi.
Duke komentuar emrat e përzgjedhur si drejtues politik nga PD dhe PS në Tiranë, Baçi u shpreh se Belind Këlliçi ka mbajtur flamurin e denoncimeve apo betejën e denoncimeve për Bashkinë e Tiranës.
Në këtë kuadër, Baçi tha se domosdoshmërisht Këlliçi do të ishte drejtues politik i PD-së për Tiranën. Ai tha se krahas tij do të jenë edhe dy-tre emra të tjerë, mes të cilëve edhe Tomor Alizoti, që do të angazhohen krahas Këlliçit.
Në anën tjetër,Baçi tha se socialistët krahas Erion Veliajt kanë caktuar edhe Elisa Spiropalin dhe Ogerta Manastirliun.
“Duket se kemi një ndarje të infliencës politike mes Veliajt, Spiropalit dhe Manastirliut. Po të shikoni në 2021-in kemi vetëm z. Veliaj, i cili krijoi gjithë stafin e tij dhe drejtoi fushatën, ndërsa tani kemi një ndarje të përgjegjesive”, tha Baçi.
Përsa i takon drejtuesve politik në Durrës, Baçi tha se qyteti i Durrësit ka qenë një qytet i heshtur, ka pasur një votë të palexueshme. Baçi tha se nuk përjashtohet mundësia që në rastin e socialistëve, ku si drejtuese politike është caktuar Emirjana Sako, ajo të dublohet nga të tjerë personazhe të njohur.
Ndërsa për Shkodrën, Baçi tha se Benet Beci si drejtues politik, do të ketë mbi krye Edi Ramën, i cili me shumë gjasë do të kandidojë si deputet në Qarkun e Shkodrës.
Lidhur me Luçiano Boçin si drejtues politik të PD-së në Shkodër, Baçi tha se partia çoi nënkryetarin e saj, duke vlerësuar shumë këtë qark. “Boçi u çua si një emisar politik”, tha ai.
Përsa i takon Agron Gjekmarkajt si drejtues politik në Lezhë për PD-në, Baçi tha se nuk ka drejtuar kurrë një fushatë zgjedhore. “Ulsi Manja si drejtues politik i PS-së vjen nga terreni, ka luftuar për votat.
Gjekmarkaj duhet të sqarojë lezhjanët edhe për ato deklaratat e tij se do të hidhej nga ballkoni nëse Berisha merrte drejtimin e PD-së. Gjekmarkaj nuk ka bërë fushatë asnjëherë, njihet për kundërshtitë që i ka bërë qoftë Bashës ashtu edhe Berishës”, tha Baçi.
Ndërsa për përballjen në Elbasan, ku drejtues qarku janë Ervin Salianji dhe Arbjan Mazniku, Baçi tha se drejtuesi politik i caktuar nga PD është njeri i terrenit. “Mendoj se do të jetë një betejë shumë interesante”, tha Baçi./BalkanWeb