Zëvendësministri ukrainas i Energjisë është arrestuar pasi akuzohet për ryshfet prej gjysmë milioni dollarësh.
Lajmi është bërë i ditur nga ‘Ukrainska Pravda’ e cila citon Shërbimet e sigurisë ukrainase (SBU).
Në njoftimin e SBU-së thuhet se Oleksandre Kheilo kërkoi ryshfet nga menaxherët e kompanive minerare në Ukrainën perëndimore.
Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm tha se në këmbim 500 mijë dollarëve, zëvendësministri u kishte premtuar krerëve të ndërmarrjeve shtetërore të qymyrit Lviv-Volyn (Perëndim) transferimin e papenguar të pajisjeve të minierave nga minierat e rajonit të Donetsk (Lindje),
Kheilo dhe tre bashkëpunëtorët e tij të dyshuar u kapën në flagrancë dhe rrezikojnë nga 12 vjet burg me konfiskimin e aseteve të tyre", thuhet në njoftimin për shtyp të SBU.
Edhe qeveria ukrainase konfirmoi se ishte arrestuar zv/ministri I Energjisë por pa komentuar akuzat. Që nga fillimi i pushtimit rus në shkurt 2022, disa skandale korrupsioni kanë shpërthyer në Ukrainë, duke çuar në shkarkimin dhe arrestimin e zyrtarëve të lartë.
Në fillim të majit, Ministri ukrainas i Bujqësisë Mykola Solsky dha dorëheqjen dhe u burgos pasi u akuzua për përvetësim të tokës në pronësi të shtetit.
Presidenti Volodymyr Zelensky e ka bërë prioritet luftën kundër korrupsionit, një nga kushtet kryesore të vendosura nga Brukseli ndaj Kievit si pjesë e kërkesës së tij për t'u bashkuar me Bashkimin Evropian./Shqiptarja