Dita ndërkombëtare e Rinisë, e gjen Shqipërinë me 300 mijë të rinj të larguar nga vendi në një dekadë.

Por, rinia e larguar, mund të bëjë pikën e kthesës për Shqipërinë. Rikthimi i trurit të profesionistëve të larguar do ta nxirrte Shqipërinë nga kurthi i të ardhurave të mesme, pasi do të sillte ide biznesi të reja dhe më të zhvilluara në aspektin teknologjik.

Banka Botërore i sugjeron Shqipërisë të krijojë kushtet për të rikthyer diasporën pasi ata sjellin aftësi e teknologji më të avancuara.

“Krijimi i një klime mbështetëse që do të nxiste ndarjen e dijeve të fituara prej tyre, si dhe përdorimi efikas i parave të emigranteve do t’i jepte hov zhvillimit të ekonomisë”, thotë Banka Botërore në raportin për vendet me të ardhurat e mesme.

Eksperti i punësimit dhe pedagogu Erion Muça thotë se rikthimet e suksesshme do të kërkojnë të paktën një dekadë, nëse përmirësohet tregu i punës, pagat, klima e biznesit, siguria ligjore e deri tek arsimi më cilësor.

“Për të dalë në një kohë kur do të reflektojë trendi i rikthimit të atyre që kanë lëvizur do të duhet të paktën 5-10 vite nëse të gjitha ndryshimet që ndodhin promovohen siç duhet në tregun vendas të punës. Duhet të krijojmë frymën që tregu vendas i punës ka atraktivitetin e nevojshëm për të afruar emigrantët, dhe ti mbështesë dhe ti promovojë”, thotë eksperti.

Fillimi i mirë, gjysma e punës! Të rinjtë e parë që do të vinin në Shqipëri, do të ishin edhe vendimtarët nëse vendi do ta rifitojë apo jo trurin e larguar ndër vite.

“Nëse modelet e para të rikthyerve e gjejnë veten në treg dhe nuk kanë asnjë zhgënjim, madje janë të kënaqur me rikthimin e tyre, janë promotorët më të mirë jashtë vendit, duke i tërhequr në formë zinxhiri”, pohon eksperti.

Të dhënat e Censit të 2023-shit, treguan se në Shqipëri jetojnë 735 mijë persona të moshave 15-39 vjeç, ndërsa në 2011-ën, ishin 1 milionë e 35 mijë. Mungesa e punonjësve është kthyer në një barrë për ekonominë, pasi me mijëra bizneset nuk kanë staf të mjaftueshëm për aktivitetin e tyre.

POPULLSIA NË MOSHË 15-39 VJEÇ

Censi 2023                 735.589 banorë

Censi 2011              1.035.771 banorë

Rënia                        -300,182 banorë

/Shqiptarja