Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) ka nxjerrë për konsultim publik projektrregulloren për mënyrën, afatet dhe procedurën e pagesës së pensionit privat.

Kjo rregullore ka për objekt përcaktimin e mënyrës, afateve dhe procedurave për marrjen e pagesës së pensionit privat në llogarinë e anëtarit të fondit të pensionit, pasi ka fituar të drejtën e tërheqjes dhe përdorimit të pagesës së pensionit pas plotësimit të kushteve, sipas legjislacionit në fuqi.

Sipas projektrregullores, shoqëritë administruese të fondeve të pensionit privat, objektivi i veprimtarisë së të cilave është llogaritja dhe kryerja e pagesave të pensionit privat tek anëtari i fondit të pensionit, pas plotësimit të kushteve sipas legjislacionit në fuqi, duhet të zbatojnë kushtet dhe kriteret e përcaktuara në këtë rregullore.

Anëtari i fondit të pensionit privat ka të drejtë të marrë dhe/ose përdorë vlerën neto të aktiveve në llogarinë e tij të pensionit, sipas mënyrave të mëposhtme: marrjen e pagesës së menjëhershme të vlerës totale neto të aktiveve në llogarinë e tij të pensionit, si shumë e vetme, ose në disa shuma të barabarta ose të ndryshme, në periudha të barabarta ose të ndryshme, deri në shterimin e plotë të llogarisë; marrjen e pagesave periodike mujore në formë pensioni të zgjatura në kohë, jo më pak se 2 vjet; përdorimin e vlerës neto të aktiveve për blerjen e një kontrate të sigurimit të jetës në formë “anuiteti”, tek një shoqëri sigurimi jete; kombinimi i mënyrave të mësipërme.

Për çdo mënyrë të zgjedhjes së marrjes së pagesës së pensionit, anëtari i fondit të pensionit nënshkruan kontratë me shoqërinë administruese të fondit të pensionit privat.

Në tregun e pensioneve private ushtrojnë aktivitetin e tyre gjashtë fonde pensioni.

Analiza e të dhënave për tregun e pensioneve private në fund të marsit tregon një total asetesh neto prej 7 miliardë lekësh (68.24 milionë euro) dhe me një rritje prej 282 milionë lekë (4.18%) krahasuar me fundin e 2023-shit.

Numri i anëtarëve në fondet e pensioneve, në fund të marsit rezultoi 39 910 anëtarë duke shënuar një rritje prej 4.53% krahasuar me fundin e vitit 2023./ata