Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu dhe drejtori i ISHSH Tiranë, Kliton Leka inspektoi ditën e sotme vijën bregdetare të Golemit, ku taskforca e Inspektoriatit Shtetëror Shëndetësor vijon monitorimin e kushteve higjieno-sanitare në të gjithë vijën bregdetare.
Taskforca po kryen inspektime të rregullta në hotele, plazhe dhe pishina për të garantuar pastërti dhe siguri për pushuesit vendas dhe të huaj.
Ministrja Koçiu në fjalën e saj theksoi se, “strukturat akomoduese kanë përgjegjësinë për të siguruar higjienën dhe pastërtinë e tyre”.
“Është e domosdoshme që të jemi të gjithë bashkë në këtë proces për të garantuar shëndetin publik dhe një eksperiencë të këndshme për të gjithë vizitorët”,u shpreh ajo.
Për të siguruar një sezon turistik të sigurt dhe të shëndetshëm, ministrja Koçiu bëri thirrje për angazhim të përbashkët dhe respektimin e standardeve të higjienës dhe pastërtisë nga të gjitha strukturat që ofrojnë shërbime për pushuesit.
Që nga ngritja e taskforcës janë inspektuar rreth 2,961 struktura akomoduese, përfshirë restorante dhe pishina./OraNews